KOSTT nënshkruan kontratën për Nënstacionin e ri 220/35/10(20)kV në Malishevë


12/12/2025

KOSTT, nënshkroi sot kontratën për zbatimin e projektit kapital: Nënstacioni i ri 220/35/10(20) kV Malishevë, me transformator 40 MVA dhe linjë kyçjeje 220 kV. Projekti financohet nga KOSTT me vlerë 6,763,766.04 euro.

Ky investim e lidh për herë të parë Malishevën me rrjetin 220 kV, duke i dhënë komunës kapacitete dukshëm më të larta dhe furnizim më të qëndrueshëm, krahas rrjetit ekzistues 35 kV. Për qytetarët dhe bizneset kjo nënkupton cilësi më të mirë të furnizimit, siguri më të lartë dhe bazë të fortë për zhvillim ekonomik.

Në nivel sistemi, projekti rrit besueshmërinë e furnizimit, ul varësinë nga linjat e tensionit të mesëm, redukton humbjet dhe forcon sigurinë operacionale, duke kontribuar edhe në përmbushjen e kriterit N-1. Po ashtu, krijon kushte më të mira për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat afatgjata të sektorit energjetik.

Afati i planifikuar i realizimit nga nisja e punimeve është rreth 13 muaj.