Vendoset gurthemeli i Nënstacionit të ri 220/35/10(20)kV në Malishevë -Investim strategjik për sigurinë energjetike dhe zhvillimin e rajonit
Sot, në Malishevë u shënua ceremonia e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV Malishevë, një projekt kapital me rëndësi të veçantë, i cili për herë të parë e lidh Malishevën me rrjetin 220 kV dhe forcon ndjeshëm sigurinë, stabilitetin dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.
Projekti do të financohet tërësisht nga Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, me vlerë prej 6,763,766.04 euro, dhe parasheh instalimin e transformatorëve me kapacitet 40 MVA, si dhe ndërtimin e linjës transmetuese 220 kV. Ky investim krijon kapacitete më të larta transmetuese dhe stabilitet më të madh të furnizimit, duke e plotësuar dhe përforcuar rrjetin ekzistues 35 kV.
Ndërtimi i Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë është një investim strategjik që rrit kapacitetet dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike, në përputhje me objektivat e Strategjisë së Energjisë. Projekti përmirëson stabilitetin e rrjetit transmetues, redukton rreziqet nga mbingarkesat dhe përmbush kriteret e sigurisë së sistemit. Ai krijon kushte më të mira për zhvillim ekonomik, përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset e Malishevës, si dhe kontribuon në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në rajonin e Anadrinit dhe komunat përreth.
Ceremonia u realizua në praninë e znj Artane Rizvanolli Ministre në detyrë e Ekonomise, Kryetarit të Komunës së Malisheves, dhe insitucioneve bashkëpunëtore të KOSTT.
Vendosja e gurthemelit të Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV Malishevë përfaqëson një hap të madh drejt një furnizimi më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më cilësor me energji elektrike, duke krijuar themele të forta për zhvillim ekonomik, stabilitet energjetik dhe mirëqenie afatgjate për qytetarët e Malishevës dhe tërë rajonit