Konferencë për media-Gjendja e Sistemit Elektro-Energjitik dhe masat e KOSTT-it


12/24/2025

Fjalim i Kryeshefit Ekzekutiv

Mirëdita dhe faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sonë. Qëllimi i kësaj konference është i thjeshtë: t’ju japim një pasqyrë të qartë dhe të verifikueshme për gjendjen e sistemit elektro-energjetik në Kosovë dhe për masat që po ndërmarrim, veçanërisht në ditët me ngarkesë të lartë në fundvit.

Kohëve të fundit ka pasur diskutime të shumta rreth rolit të KOSTT-it dhe zhvillimeve në sektor. Prandaj, dëshiroj të qartësojme shkurtimisht fushëveprimin e KOSTT.

KOSTT është Ndërmarrje Publike me përgjegjësi të përcaktuara me ligj për operimin e sigurt, të besueshëm dhe të koordinuar të rrjetit të transmetimit, si dhe për administrimin e tregut dhe procesit të barazimeve përfundimtare.

Si Operator i Sistemit të Transmetimit, ne operojmë dhe mirëmbajmë rrjetin e tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, duke menaxhuar rrjedhat e energjisë për të mbështetur furnizimin e konsumit vendor dhe tregtimin ndërkufitar. Kjo do të thotë se detyra jonë kryesore është siguria e sistemit: të parandalojmë mbingarkesat, të minimizojmë rreziqet teknike dhe të garantojmë stabilitetin e rrjetit në çdo moment.

Sot, sistemi po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit, sidomos në orët e pikut.

Tradicionalisht, piku i ngarkesës shfaqet gjatë sezonit dimëror, me theks të veçantë në periudhën 20 dhjetor - 5 janar, kur konsumi rritet ndjeshëm dhe atë në oraret si: 09:00-11:00, 16:00-19:00 dhe 22:00-23:00.

Ngarkesa maksimale ka arritur deri në 1,523 MW, krahasuar me 1,472 MW vitin e kaluar—tani kur temperaturat nuk jane shume të ulëta. Në krahasim, piku i vitit 2020 ishte 1,249 MW. Ky trend tregon se kërkesa po rritet më shpejt se sa ritmi historik i kapaciteteve dhe kërkon menaxhim më të kujdesshëm operacional.

Siç e dini, KOSTT prej vitesh po investon për të rritur kapacitetet transmetuese dhe për të eliminuar fytet e ngushta në rrjet. Investimet e përfunduara së fundi—si Nënstacioni Prishtina 6, NS Fushë Kosovë dhe NS Ferizaj—kanë përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe fleksibilitetin e furnizimit në këto zona dhe më gjerë.

Megjithatë, këtë vit mbingarkesat janë shfaqur më të theksuara në disa nënstacione specifike: Nënstacioni Rahovec (që furnizon Rahovecin dhe Malishevën), Nënstacioni Prizreni 1 (për një pjesë të Prizrenit dhe Dragashin) dhe, në mënyrë të pjesshme, Gjilani 1 dhe Lipjani. Në këto Nenstacione, kapacitetet janë të limituara dhe në orët e pikut krijohen mbingarkesa në rrjet.

Prandaj, gjatë javës së fundit, në periudha të caktuara të pikut, KOSTT ka zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara të ngarkesës në disa pika.

Dua ta theksoj qartë: këto masa nuk janë “qëllim në vetvete”; ato janë instrument sigurie për të garantuar funksionimin normal te sistemit, mbrojtur stabilitetin e tij dhe për të shmangur incidente më serioze që do të kishin ndikim shumë më të gjerë. Qasja jonë është të veprojmë me precizitet teknik, vetëm kur është e domosdoshme dhe për aq sa është e nevojshme.

Po ashtu, për transparencë dhe për ta vendosur drejt dallimin mes rolit të KOSTT-it dhe nivelit të furnizimit te konsumatori: ndërhyrjet që KOSTT ka urdhëruar këto ditë kanë qenë të kufizuara vetëm në disa Nenstacione, në orë të caktuara të pikut, dhe janë shprehur në këto vlera maksimale: në NS Rahovec deri në 20% (12.6 MW), në NS Prizren 1 deri në 11% (7.7 MW), dhe në NS Lipjan deri në 3% (3 MW). Në një rast të vetëm është ndërmarrë edhe një ndërhyrje minimale në NS Gjilan 1. Këto janë masa teknike për sigurinë e rrjetit. Çdo reduktim tjetër që qytetarët mund ta kenë ndier në nivel të furnizimit nuk eshte e shkaktuar nga ne.

Zona më e ndjeshme aktualisht mbetet zona Rahovec–Malishevë qe fatmirësisht dje vendosëm gurthemelin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20) kV në Malishevë—një investim që do të rrisë kapacitetin, dhe do te zgjidhe problemin e këtyre zonave dhe me gjere. Ky projekt eshte investim vetanak i KOSTT ne vlere prej 6.78 milion euro dhe është i planifikuar të përfundojë brenda 13 muajve.

Në të njëjtën logjikë të forcimit të rrjetit, për të shkarkuar ngarkesat në Nënstacionin Prizren 1 dhe për të garantuar kapacitete të mjaftueshme transmetimi, kemi paraparë ndërtimin e Nënstacionit në Dragash, i cili do të adresojë kërkesën e Dragashit dhe do të shkarkoje një pjesë të Prizrenit.

Paralelisht me këto projekte, kemi një agjendë të gjerë investimesh.

Aktualisht, KOSTT ka një pako projektesh në vlerë mbi 30 milion euro në bashkëpunim me KfW, si dhe është në negociim për një pako tjetër rreth 35 milion euro. Këto investime rrisin kapacitetet transmetuese në të gjithë vendin dhe krijojnë hapësirë reale për integrimin e burimeve të reja të ripërtëritshme—me siguri më të lartë operative dhe me më pak kufizime teknike.

Për situatën aktuale, ekipet tona të mirëmbajtjes dhe operimit janë të mobilizuara 24/7 dhe janë në gatishmëri për të reaguar menjëherë në çdo nevojë teknike. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me operatorët dhe institucionet relevante për të koordinuar veprimet që prekin stabilitetin e sistemit.

Për transparencë, KOSTT do të publikojë rregullisht në ueb-faqe të dhënat për ngarkesën dhe masat e menaxhimit të saj. Ne besojmë se transparenca është pjesë e sigurisë: kur publiku ka informacion të saktë, pritshmëritë bëhen realiste dhe vendimmarrja bëhet më e matur.

Në fund, dua të theksoj se sfida kryesore është menaxhimi i pikut.

Çdo ulje e konsumit në orët e ngarkesës më të lartë e ndihmon sistemin të mbetet stabil për të gjithë.

U bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që, sa herë të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me ngarkese te larte jashtë pikut dhe të shpenzojnë energjinë në mënyrë racionale.

Ne do të vazhdojmë të investojmë, të operojmë me standarde të larta dhe të komunikojmë hapur—sepse energjia e sigurt është themel i ekonomisë dhe i cilësisë së jetës.

Faleminderit.

Jam i gatshëm për pyetjet tuaja.