KOSTT shënon 20-vjetorin e themelimit
Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, shënoi 20-vjetorin e themelimit, një jubile që pasqyron dy dekada të ndërtimit, transformimit dhe konsolidimit të një institucioni me rëndësi strategjike për Republikën e Kosovës.
Gjatë këtyre njëzet viteve, KOSTT është afirmuar si operatori përgjegjës për garantimin e funksionimit të sigurt të sistemit të transmetimit, zhvillimin e tregut të energjisë elektrike dhe avancimin e integrimit të Republikës së Kosovës në tregun rajonal dhe evropian të energjisë. Përmes investimeve të vazhdueshme, reformave të rëndësishme dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, KOSTT ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Jubileu u shënua me një ceremoni solemne, në të cilën morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, z. Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë në detyrë, znj. Artane Rizvanolli, anëtarë të Kabinetit Qeveritar, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve partnere në Kosovë, drejtues të institucioneve dhe kompanive të sektorit energjetik, si dhe përfaqësues të organizatave vendore e ndërkombëtare.
Kryemnistri Kurti në fjalimin e tij theksoi: ‘’Themelimi i KOSTT-it në vitin 2006 përfaqësoi një moment vendimtar në reformimin dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë. Ai shënoi fillimin e ndërtimit të një institucioni të pavarur, profesional dhe të besueshëm, me përgjegjësi thelbësore për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, funksionimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e sistemit të Kosovës në ato rajonale dhe evropiane. Sot, 20 vjet më vonë, mund të themi se KOSTT-i është një prej tregimeve të suksesshme të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre dy dekadave janë realizuar investime të rëndësishme në linja të transmetimit, transformatorë, nënstacione të reja, sisteme të kontrollit dhe mbikëqyrjes, telekomunikacion, matje dhe mbrojtje. Këto investime kanë rritur kapacitetet e rrjetit, kanë përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe kanë krijuar kushtet për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit tonë. Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E në vitin 2020 dhe operimi i KOSTT-it si zonë e pavarur rregulluese, e më pas në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, shënuan një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës, duke forcuar pavarësinë operacionale dhe bashkëpunimin rajonal. Këto zhvillime u pasuan me themelimin e ALPEX-it dhe bashkimin e tregut të energjisë me Shqipërinë, të cilat kanë krijuar një treg më konkurrues, transparent dhe të integruar, me rritje të vazhdueshme të vëllimit të tregtimit të energjisë elektrike. Njëkohësisht, funksionalizimi i tregut brenda-ditor dhe marrja nën kontroll operacional e Nënstacionit Vallaç nga KOSTT kanë konsoliduar funksionimin unik të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, duke rritur sigurinë, besueshmërinë e furnizimit dhe integrimin e vendit në tregun evropian të energjisë.’’
Në fjalën e saj Ministrja e Ekonomisë në detyrë, znj. Artane Rizvanolli, u shpreh ‘’Sot, sektori energjetik po hyn në një etapë të re zhvillimi. Shfrytezimi i pergjegjshem i burimeve tona vendore, diversifikimi i mixit energjetik, tranzicioni energjetik, integrimi i burimeve të ripërtëritshme, zhvillimi i sistemeve të ruajtjes së energjisë, digjitalizimi i rrjetit dhe integrimi në tregjet rajonale e evropiane nuk janë më vetëm synime afatgjata. Ato janë procese që tashmë po marrin formë.
KOSTT do të vazhdojë të jetë një nga institucionet kyçe në transformimin e sektorit energjetik, në krijimin e kushteve për investime të reja, në integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe në lidhjen më të ngushtë të Kosovës me tregun evropian të energjisë. investimet qe u bene se fundmi në Ferizaj dhe Malishevë janë shembuj konkretë të rëndësisë që ka zhvillimi i rrjetit për qytetarët dhe bizneset. Nënstacioni Ferizaj 3 ka sjellë një përmirësim të rëndësishëm për një zonë me kërkesë të lartë për energji dhe me rëndësi të madhe ekonomike. Nënstacioni i ri në Malishevë, i cili e lidh për herë të parë këtë komunë me rrjetin 220 kV, paraqet një investim me rëndësi të veçantë për furnizim më të qëndrueshëm, për ulje të kufizimeve në rrjet dhe për krijimin e një baze më të fortë për zhvillim ekonomik lokal. Për qytetarët, këto investime përkthehen në cilësi më të mirë të furnizimit. Për bizneset, në siguri më të madhe operimi. Për sistemin, në qëndrueshmëri më të lartë. Jam e bindur se KOSTT do të hyjë në këtë dekadë të re më i fortë, më i përgatitur dhe me rol edhe më të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi energjetik modern, të qëndrueshëm dhe plotësisht të integruar në familjen evropiane.’’
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Dr. Gëzim Tosuni, u shpreh: ‘’KOSTT është dëshmi se kur institucionet e Republikës së Kosovës ndërtohen mbi profesionalizëm, integritet dhe vizion afatgjatë, ato mund të arrijnë standardet më të larta evropiane dhe të fitojnë besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Njëzet vjet më parë u hodhën themelet e KOSTT-it. Sot festojmë një institucion që është shndërruar në një nga shtyllat strategjike të Republikës së Kosovës dhe një nga historitë më të suksesshme të ndërtimit institucional në sektorin energjetik. Ky rrugëtim nuk ka qenë thjesht zhvillimi i një kompanie. Ai ka ecur paralelisht me rrugën e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Çdo hap përpara i KOSTT-it ka qenë një hap më shumë drejt forcimit të sovranitetit tonë energjetik, integrimit në sistemin evropian dhe krijimit të kushteve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.’’
Në përmbyllje të ceremonisë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, z. Trim Tërnava, theksoi se rrugëtimi njëzetvjeçar i kompanisë është ndërtuar mbi profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e palodhshme të gjeneratave të punonjësve të KOSTT-it. Ai vlerësoi se kompania sot operon sipas standardeve më të larta evropiane, me një rrjet transmetues modern, humbje teknike ndër më të ulëtat në rajon dhe një rol kyç në garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Z. Tërnava ritheksoi se prioritetet e KOSTT-it mbeten modernizimi dhe digjitalizimi i rrjetit, integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, zhvillimi i interkoneksioneve të reja rajonale, forcimi i sigurisë kibernetike dhe integrimi i plotë në tregun evropian të energjisë. Ai shprehu mirënjohje për punonjësit, ish-punonjësit dhe partnerët e KOSTT-it, duke theksuar se suksesi i kompanisë është rezultat i punës së përbashkët dhe se vizioni mbetet ndërtimi i një sistemi energjetik modern, të sigurt, fleksibil dhe plotësisht të integruar me Evropën.
Me rastin e këtij jubileu, KOSTT shpreh mirënjohjen më të thellë për punonjësit, institucionet e Republikës së Kosovës, Bankën Gjermane për Zhvillim, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimin Evropian, Agjencinë Franceze për Zhvillim, si dhe për të gjithë partnerët e tjerë që ndër vite, kanë dhënë kontribut dhe kanë mbështetur rrugëtimin, zhvillimin dhe suksesin e kompanisë.
Njëzet vjet pas themelimit, KOSTT vazhdon të mbetet një nga institucionet kyçe të sektorit energjetik të Republikës së Kosovës, i përkushtuar për garantimin e sigurisë energjetike, zhvillimin e tregut të energjisë elektrike dhe integrimin e plotë të vendit në tregun evropian të energjisë.