Prezantohet Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektin e KOSTT për ndërtimin e Nënstacionit të ri GIS 110/35/10 (20) kV Fushë Kosovë


7/18/2022

Nën organizimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, më 15 korrik 2022 në ambientet e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës si dhe përmes platformës online Zoom është mbajtur Debat Publik për çështjet ambientale të projektit për ndërtimin e Nënstacionit të ri GIS 110/35/10 (20) kV në Fushë Kosovë.

Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) ka pasur për qëllim identifikimin dhe parashikimin e ndikimeve të mundshme në mjedis të këtij projekti si dhe identifikimin e masave të nevojshme për mbrojtjen e mjedisit nga ndikimet eventuale.

Në bazë të analizës së prezantuar përmes Raportit të VNM-së për projektin kapital të KOSTT për ndërtimin e nënstacionit të ri GIS 110/35/10 (20) kV në Fushë Kosovë, u konstatua që implementimi i projektit dhe funksionimi i nënstacionit nuk shkakton ndikime negative në mjedis dhe nuk rrezikon shëndetin e njeriut. Për më tepër,  implementimi i projektit do të ketë ndikim pozitiv sa i përket krijimit të kushteve për furnizim cilësor me energji elektrike për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës, nga aspekti I transmetimit si dhe do të ndikoj në hapjen e një perspektive të re për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në këtë komunë.  

Në kuadër të Debatit Publik ku u prezantua Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM) për këtë projekt, të gjitha palët e interesuara patën mundësinë që të parashtrojnë pyetje për çështje me interes në lidhje me projektin.