KOSTT dhe Komuna e Dragashit nënshkruan kontratë për shfrytëzim të pronës për ndërtimin e Nënstacionit në Dragash


8/9/2023

Me synim për zhvillimin e vazhdueshëm të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, KOSTT filloi përgatitjet për realizimin e investimit kapital për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/35/10(20)kV Dragash, i cili do të bashkë financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim -KfW.

Në këtë drejtim, sot Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri ka nënshkruar kontratë me Kryetarin e Komunës së Dragashit z. Bexhet Xheladini, për shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/10(20)kV  me linjat transmetuese 110kV.

Me këtë rast z. Zeqiri theksoi ‘’Duke konsideruar Rajonin e Dragashit si zonë me potencial të lartë të zhvillimit të turizmit malor dhe  industrisë së lehtë,  ndërtimi i nënstacionit të ri 110kV në vlerë prej afër 9.3 Milion Euro i cili parashihet të përfundoj në vitin 2027, do të krijoj  kushtet optimale për ngritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike duke reduktuar humbjet teknike në rrjet, do të bëhet shkarkimi i transformatorëve të fuqisë në NS Prizreni 1 për ngarkesën ekuivalente me  konsumin e rajonit të Dragashit si dhe do të mundësoj integrimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në atë rajon’’

Në kuadër të pakos investive në bashkë financim me KfW gjithashtu parashihet investime edhe në komuna tjera si Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Therandë, Deçan dhe Fushë Kosovë.

Me ndërtimin e këtyre nënstacioneve, do të përmirësohet cilësia e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët e këtyre rajoneve, e cila njëherit është parakusht për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik.