KOSTT nënshkruan kontratë me Komunën e Malishevës për shfrytëzim të pronës për ndërtimin e Nënstacionit në Malishevë


9/18/2023

Zhvillimi dhe modernizimi i mëtutjeshëm i Sistemit Transmetues të Republikës së Kosovës, mbetet qëllim primar për #KOSTT, dhe në vazhdën e përmbushjes së objektivave tona strategjike sot u nënshkrua kontrata për shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale ndërmjet Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT z. Evetar Zeqiri dhe Kryetarit të Komunës së Malishevës z. Ekrem Kastrati, për ndërtimin e Nënstacionit të ri 220/35/10(20)kV Malisheva me linjën transmetuese 220kV.

Me këtë rast z. Zeqiri theksoi ‘’Me nënshkrimin e kësaj kontrate, ne sot po vendosim themelet e para për ndërtimin e Nënstacionit të ri në Malishevë, projekt ky përveç rëndësisë që e ka në përforcimin dhe zhvillimin e rrjetit të transmetimit, njëkohësisht krijon kushte për integrim dhe operim të sigurt të burimeve të ripërtërishme të energjisë në atë rajon, e që janë objektiva afatgjate të politikave energjetike të vendit’’.

Përveç kontratës për shfrytëzim të pronës, KOSTT tashmë ka kontraktuar kompaninë konsulente e cila do të bëjë përgatitjen e dokumentacionit ndërtimor projektues për NS 220/35/10(20)kV Malisheva me linjën transmetuese 220kV. Pas përgatitjes së projektit ndërtimor, në fillim të vitit të ardshëm pritet të tenderohet ndërtimi i nënstacionit.

Ndërtimi i nënstacionit të ri 220kV, në vlerë prej 5.8 Milion Euro i cili parashihet të përfundoj në vitin 2027, garanton siguri të furnizimit me energji elektrike për Rajonin e Malishevës dhe mbështetet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të këtij rajoni dhe Republikës së Kosovës.