Profili i Kompanisë
KOSTT SH.A. është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 % të aksioneve shtetërore. Sipas Ligjit për energjinë elektrike nr.05/L-085 të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.
KOSTT menaxhon Sistemin e Transmetimit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Sistemit të transmetimit i përkasin edhe transformatorët e ndërlidhur me rrjetin e shpërndarjes: 220/ 35/10 kV dhe 110/35/10(20) kV. Përgjegjësi e KOSTT është që në mënyrë të sigurt dhe të besueshme të transmetojë energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.
Aktualisht, rrjeti i transmetimit të Kosovës lidhet me shtetet fqinje përmes tetë linjave ndërkufitare. Falë pozitës qendrore gjeografike që ka shteti ynë, sistemi i transmetimit me të cilin operon KOSTT, edhe pse i vogël, paraqet një nyje shumë të rëndësishme të transmetimit në Evropën Juglindore.
Sipas Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Licencës për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike, KOSTT është përgjegjës për :
- Planifikimin, operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë
- Operimin efikas, ekonomik dhe të koordinuar të sistemit të transmetimit, përfshirë rrjedhat ndërkufitare
- Balancimin e sistemit
- Sigurimin e qasjes jo-diskriminuese për shfrytëzuesit e sistemit të transmetimit
- Nxitjen e konkurrencës efektive për prodhim dhe furnizim me energji elektrike
- Nxitjen e efikasitetit ekonomik në zbatimin e Rregullave të Tregut si dhe kryen aktivitetet në përputhje me Rregullat e Tregut
- Administrimin e tregut të centralizuar të energjisë elektrike në Kosovë
- Menaxhimin e procesit të barazimit përfundimtarë