Fushëveprimi

Sektori i Telekomunikacionit, duke përfshirë të gjithë gamën e shërbimeve telekomunikuese dhe të informacionit, është njëri nga sektorët shërbyes më të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Shumëllojshmëria e shërbimeve moderne telekomunikuese i ndihmon si kompanive operuese ashtu edhe bizneseve në rritjen e produktivitetit si dhe mundësinë e koordinimit të aktiviteteve.

Në sferën ekonomike, shumëllojshmëria e shërbimeve telekomunikuese, duke rritur produktivitetin, ndihmon në ulje të kostos së shfrytëzimit të shërbimeve dhe njëkohësisht rritje të të hyrave për ofruesit e tyre. Për më tepër, industria e telekomunikacionit siguron një burim të rëndësishëm të punësimit duke krijuar një fuqi punëtore me kualifikim të lartë, dhe kontribuon me një pjesë të rëndësishme të bruto prodhimit kombëtar.

Në sferën shoqërore, qasja gjithëpërfshirëse drejt shërbimeve telekomunikuese të besueshmërisë dhe kualitetit të lartë, ndihmojnë në ngritjen e pjesëmarrjes më të gjërë të stafit punues dhe të qytetarëve në të qenit të informuar, si dhe lehtësojnë disponueshmërinë e një vargu të gjerë të shërbimeve.

Në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe duke marrë në konsideratë të plotë rekomandimet dhe praktikat e mira të Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), me politikat e sektorit të telekomunikacionit dhe rregulloret po promovojnë hyrjen në treg, konkurrencën dhe ambientin jo-diskriminues, zhvillimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike dhe krijimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Telekomunikacion Nr.2002/7, i ndryshuar me Ligjin Nr.03/L-085, janë krijuar kushtet për liberalizimin e tregut në Kosovë dhe deri më tani janë liberalizuar të gjitha shërbimet telekomunikuese. Ndërsa, Rregullorja e ART për ‘Të drejtën për shteg dhe shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës‘ po inkurajon shfrytëzimin më efikas dhe më ekonomik të infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve.

Broshura - Shkarko këtu

Ftesë për 'Shprehje Interesi' për dhënie me qera të fibrave të errët të rrjetit telekomunikues të KOSTT-it - Shkarko këtu

Plani i Biznesit dhe Autorizimi/Licenca

Në përkrahje të këtyre iniciativave, Sektori i Telekomunikacionit të KOSTT-it ka punuar në zhvillimin e strategjisë për hyrje në tregun e telekomunikimeve, duke ofruar tepricën e kapaciteteve fiber optike. Si rezultat i kësaj pune u përpilua Plani i Biznesit për Operimin e shërbimeve të infrastrukturës në tregun e telekomunikimeve, e cila ishte edhe parakusht për përgatitjen e dokumentacionit përkatës për aplikim për autorizim/licencë.

Në bazë të kësaj, Bordi i Drejtorëve i KOSTT-it, muar vendim të inicoj aktivitetet për aplikim për autorizim/licencë për Operator të shërbimeve të infrastrukturës në tregun e telekomunikimeve, kërkesë e cila është aprovuar nga ana e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikimeve Elektronike e Postare (ARKEP) të Kosovës, ne fund te vitit 2013.

Tani, kjo ishte licenca e tretë e KOSTT-it, së bashku me licencën për Operator të Sistemit të Transmisionit dhe licencën për Operator të Tregut të energjisë elektrike, që kanë të bëjnë me biznesin themelorë të KOSTT-it. Dy licencat e para janë marr pas themelimit të KOSTT-it si rrjedhojë e procesit të ristrukturimit të Sektorit të energjisë në Kosovë.

Për shkak të ndryshimit të Regjimit të Autorizimit/licencave e në përputhje me dispozitat e Nenit 16 të Ligjit Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike dhe Rregullores Nr.25 për Autorizimet e Përgjithëshme (ref. ARKEP nr. prot.015/B/14) dhe Vendimit Nr.581 (ref. ARKEP nr. prot.002/B/15), KOSTT tani është i regjistuar në Regjistrin e Ndërmarrjeve për ofrimin e rrjeteve dhe / ose shërbimeve publike të komunikimeve elektronike sipas Rexhimit të Autorizimit të Përgjithëshëm.

Konfirmimi i ARKEP mbi regjistrimin e KOSTT sh.a në Regjistrin e Ndërmarrjeve për ofrimin e rrjeteve dhe /ose shërbimeve publike të komunikimeve elektronike sipas regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm Shkarko këtu

Plani i Veprimit dhe Objektivi

Transmetimi i energjisë dhe operimi i sistemit nga njëra anë dhe telekomunikimet nga ana tjetër janë tregje plotësisht të ndryshme. Operimi i sistemit të transmisionit dhe investimet në te bëhen kryesisht në një perspektivë afatgjate, në një treg të rregulluar dhe me një monopol natyral. Ndërsa, Operimi i telekomunikimeve bëhet në një treg konkurrues më të ashpër dhe me një dinamikë më të lartë të zhvillimit teknologjik.

Kjo kërkon procese dhe struktura të ndryshme, ndërsa metoda më e mire për analizën e një biznesi brenda një tregu është e ashtuquajtura analiza SWOT. Kjo është një metodë e planifikimit strategjik e përdorur për të vlerësuar Sukseset, Dobësitë, Mundësitë dhe Rreziqet të përfshira në një project ose në një sipërmarrje biznesi dhe në rastin tone mund të duket si në vijim :

Përparësitë :

  • Infrastrukturë e rrjetit fiber optik me kapacitet dhe redudancë të lartë
  • Rrjet i përhapur gjerësisht
  • Pronësi e besueshme e rrjetit dhe siguria e ofrimit të shërbimit
  • Pronësia e hapsirës dhe infrastrukturës për ko-lokacione

Dobësitë :

  • Vlerë e ulët e infrastrukturës fiber optike nëse nuk ofrohen shërbime
  • Mungesë e identitetit në tregun e telekomunikimeve
  • Rënia e vazhdueshme e çmimeve të shërbimeve
  • Mungesë e »miljes së fundit« të rrjetit.

Mundësitë :

  • Pritet një rritje enorme e komunikimit të të dhënave në vitet e ardhshme
  • Stabilitet dhe jetëgjtësi e ofrimit të shërbimeve
  • Modele të reja të biznesit me partnerë të ri
  • Bashkëpunimi me partnerë në nivel të shërbimeve dhe të infrastrukturës

Kërcënimet :

  • Konkurenca e fortë
  • Biznes i rregulluar
  • Kufizimet në pajisje dhe në shërbime
  • Kufizimet në rrjetin e “miljes së fundit”

Objektivi ynë :

Kompania jonë është e pozicionuar në mënyrë unike, si ofrues i shërbimeve të operimit të infrastrukturës në Kosovë, duke ofruar një qasje të hapur për klientët në mundësitë e mëdha komunikuese.

Me operimin e infrastrukturës telekomunikuese, KOSTT-i është duke u përpjekur për të transformuar industrinë e telekomunikimeve të Kosovës duke stimuluar konkurrencën, reduktimin e kostove të “bandwidth”-it dhe për të përmirësuar pozitën e “broadband”-it në Kosovë.

Objektivi ynë është që të sigurojmë shërbime të komunikimit të infrastrukturës në një shkallë më të gjere dhe ne do të angazhohemi që të

  • Zbatojmë dhe menaxhojmë me kosto-efektive lidhjet e rrjetit fibër optik, në mënyrë të hapur dhe të barabartë për të gjithë konsumatorët
  • Rrisim tregun e produkteve dhe shërbimeve të bazuar në fibra optik, brenda rajoneve të ndryshme te vendit
  • Ofrojmë shërbime profesionale për klientët tanë
  • Për operatorët ta bëjmë më të lehtë dhe me kosto më të ulët ofrimin e shërbimeve “broadband” dhe shërbimeve tjera telekomunikuese, njekohesisht duke ju mundësuar rritjen e numrit të konsumatorëve
  • Të kontribuojmë në zhvillimin e rajoneve të ndryshme të Kosovës, përmes ofrimit të hapur të shërbimeve moderne telekomunikuese, me çmime të volitshme

Katalogu i Shërbimeve

Katalogu i shërbimeve përmbanë listën e shërbimeve që një operator mund të ofroj në treg . Praktikisht, ekziston një numër i konsiderueshëm i shërbimeve që potencialisht mund të ofrohen nga ana e KOSTT-it në treg , e të cilat hyjnë në sferën e fushëveprimit.

Shërbimet baze

Mundësitë potenciale të biznesit që KOSTT mund ti shfrytëzoj janë :

  • Bashkëshfrytëzimi i infrastrukturës - KOSTT mund të bashkëshfrytëzojë infrastrukturën e vetë aktuale me operatorët tjerë të telekomit. Këtu mund të bashkëshfrytëzohen jo vetëm kanalet dhe tubacionet, por edhe çdo infrastrukturë e cila mund të përmbajë infrastrukturën e telekomit. Shembull i shërbimeve të tilla janë 'Huazimi i Shtyllave (me qera)' ose 'Shërbimet e Ko-lokimit'.
  • Huazimi (me qera) i Fibrave të errët (Dark fibre) - KOSTT mund të ofrojë operatorëve tjerë të telekomit për shfrytëzim të një pjese të rrjetit të tij fiber optik. Dhënia në shfrytëzim të Fibrave të errët (me qera) nuk do të ketë ndonjë investim shtesë në cilat do pajisje aktive telekomunikuese. Vlera e fibrave optike është proporcionale me gjatësinë e tyre. Prandaj, kjo strategji shfrytëzohet kryesisht nga operatorët elektroenergjetik me rrjete të telekomit gjerësisht të përhapur.
  • Huazimi (me qera) i kabllove të dedikuar - KOSTT mund të zhvillojë një strategji të veçantë për shtrierjen e kabllove përgjatë trasave të veçanta, të cilat mund të kërkohen nga operatorët e telekomit. Ky lloj shërbimi zakonisht kërkohet në vendet ku operatorët potencial nuk kanë rrjet dhe kanë nevojë për lidhje të nyjeve të veta telekomunikuese.
  • Shitja e kapaciteteve - KOSTT mund të shesë kapacitetet e pashfrytëzuara të veta. Në këtë rast, duke investuar në pajisje aktive të telekomit, KOSTT mund të ofrojë bartjen e të dhënave nga një pikë e rrjetit të saj në një pikë tjetër. Kjo formë e shërbimit, njihet ndryshe edhe me termin e lidhjeve Pikë – Pikë.
  • Qasje në lakun e ndarë (Unbundled loop access) - KOSTT mund të zhvillojë një strategji të veçantë për zgjërimin e rrjetit fiber optik gjer tek konsumatori i fundit. Në këtë mënyrë mund të bartë trafikun e të dhënave nga pika e qasjes së konsumatorit në rrjetin e tij, gjer në nyjen e destinuar.

Përshkrimi i shërbimit ‘Dark Fibre’

Fibrat optike të instaluar në rrjetin e KOSTT-it janë kryesisht të vendosur brenda kabllit tokëzues të largëpërquesit të tensionit të lartë (OPGW), prandaj rrjeti i fibrave optike përcjellë rrjetin e linjave të tensionit të lartë. Shërbimi i fibrave të errët ose ndryshe ‘Dark Fibre’ është përcaktuar si huazim (dhënie me qera) të një fije ose një palë apo më shumë se një palë fije optike për një periudhë kohore e cila zakonisht konsiderohet të jetë nga 1 vitë deri në më shumë vite, varësisht nga marrëveshja. Në pikën 5.3 është dhënë skema e rrjetit fibër optik të KOSTT-it, ndërsa në pikën 5.4 është dhënë tabela e cila përmban të dhëna për vendet e fillimit dhe të mbarimit të segmenteve ose pikave të lidhjes dhe gjatësinë e secilit segment. Ftesën për ‘Shprehje të interesit’ për operatorët e interesuar dhe palët tjera për këtë lloj shërbimi mund ta gjeni të publikuar në web faqet tona, në bazë të së cilës mund të na drejtoheni me kërkesën për ‘Shprehje të interesit’ me specifikat e përshkruara, në adresën:

Kontakti

Në këtë adresë mund ti drejtoni edhe pyetjet teknike, të kërkoni informata dhe sqarime shtesë

Adresa

Rr. Isa Boletini. Nr. 39
10000 Prishtinë

Albert Maloku

Menaxher i Sektorit të Telekomunikacionit

Tel: +383 (0) 38 501 301 116

Rregullore

Rregullore për shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës alternative (pasive/fibër optike) - Shkarko këtu