Menaxhmenti i lartë i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Zvicrës (SwissGrid) vizitoi KOSTT-in
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Ilir M. Shala me bashkëpunëtorë, me 13 Janar 2020 pritën në vizitën e parë të realizuar në Kosovë menaxhmentin e lartë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Zvicrës (SwissGrid) në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Yves Zumwald.
Në kuadër të takimit, delegacioni zviceran u njoftua me rezultatet dhe sukseset në KOSTT si dhe me zhvillimet drejt integrimeve në mekanizmat ndërkombëtarë të fushës së energjisë elektrike.
Kryeshefi Ekzekutiv z.Shala me këtë rast potencoi përkushtimin e palëkundur të KOSTT për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E dhe fillimin e operimit të pavarur brenda Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale, sipas afatit të paraparë nga RGCE/ENTSO-E (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale në kuadër të ENTSO-E), 14 Prill 2020. Në këtë drejtim të pranishmit, gjithashtu, u njoftuan edhe me zhvillimet më të reja sa i përket Nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin e Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri, implementimi i së cilës gjithashtu do të fillojë me përfundimin e proceseve të lartcekura.
Në anën tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv i SwissGrid z.Yves Zumwald e shprehi mbështetjen e tij për KOSTT drejt integrimeve në mekanizmat ndërkombëtarë si operator i sistemit të transmetimit i ndërlidhur me rrjetin evropian të energjisë elektrike si dhe theksoi rëndësinë, që ka zgjidhja e sfidave, me të cilat përballet KOSTT në drejtim të ndërprerjes së devijimeve/tërheqjes së energjisë nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.
Swissgrid si anëtar aktiv i Rrjetit të Operatorëve Evropianë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (ENSTO-E), gjithashtu mban rolin e Qendrës Koordinuese, e cila përfshin Francën, Spanjën, Portugalinë, Italinë, Austrinë si dhe vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Kosovën.
Të dy udhëheqësit e kompanive simotra u dakorduan në thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të KOSTT dhe Swissgrid.