Nënshkruhet Marrëveshja për Procesin e Shkëmbimit të të Dhënave për Barazim Përfundimtar të Energjisë së Shkëmbyer ndërmjet dy zonave rregulluese OST dhe KOSTT


10/30/2020

Sot me datë 30 Tetor 2020, në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja për Procesin e Shkëmbimit të të Dhënave për Barazim Përfundimtar të Energjisë së Shkëmbyer ndërmjet dy zonave rregulluese të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe Memorandumin për Metodologjinë e Llogaritjes së Kapaciteteve Neto të Transmetimit, ndërmjet dy zonave rregulluese  KOSTT dhe OST.

Me nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve KOSTT dhe OST dakordohen të zbatojnë rregullat dhe rekomandimet ENTSO-E për shkëmbimet ndëkufitare të energjisë, duke respektuar "Rregulloren Nr. 714/2009 të Parlamentit Evropian mbi Kushtet për Hyrjen në Rrjetin për Shkëmbimet Ndërkufitare të Energjisë Elektrike", përkatësisht Rregulloren (EC) 714 / 2009 të Parlamentit Evropian.

 

Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Ilir M. Shala u shpreh: “Nëshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve mundëson operimin e pavarur të KOSTT si Zonë Rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri (Blloku AK), në kuadër të Evropës Kontinentale si dhe konkretizon bashkëpunimin në mes të dy operatorëve në të ardhmen në funksion të integrimit të mëtutjeshëm në tregun e integruar evropian të energjisë elektrike”

 

Me date 29 Tetor 2020 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e re e Kyçjes KOSTT - ENTSO-E, meqë nga ENTSO-E, edhe përkundër ankesës së EMS/Serbisë, u vlerësua se KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga EMS/Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë - Shqipëri.