Mustafë Hasani merr detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT
Me vendimin e Bordit të Drejtorëve të KOSTT sh.a të datës 6 nëntor 2020, z.Mustafë Hasani sot mori detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu-KOSTT.
Pas vendimit pozitiv të instancës së parë të Gjykatës Themelore si dhe të instancës së dytë të Gjykatës së Apelit me ç’rast vendimi për rikthimin e z.Mustafë Hasani në vendin e punës Kryeshef Ekzekutiv është bërë i formës së prerë, Bordi i Drejtorëve të KOSTT në përbërje të të gjithë anëtarëve të Bordit, në takimin e datës 6 nëntor 2020 vendosi për zbatimin e urdhërit të Gjykatës.
z.Mustafë Hasani me profesion Doktor i Shkencave të Ekonomisë mban përvojë shumë vjeçare në pozita të ndryshme udhëheqëse në institucionet vendore. Z.Hasani ka mbajtur pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT nga dhjetori i vitit 2015 deri në gusht të vitit 2017. Ndërkaq paraprakisht ka mbajtur pozitën e Drejtorit Gjeneral në Administratën Tatimore të Kosovës, Kryeshef Ekzekutiv i Agjensionit për Promovimin e Investimeve, Drejtor i Bordit të Trafikut Urban dhe Drejtor i Departmentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave. Z.Hasani gjithashtu ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Komisionit Evropian si dhe si ligjerues i lëndëve ekonomike në kolegje private në Kosovë.
Me rastin e marrjes së detyrës z.Hasani theksoi “Po rikthehem në KOSTT në një etapë të rëndësishme për të gjithë sektorin e energjisë në Kosovë. Bashkërisht me menaxhmentin e lartë do të përkushtohemi në arritjen e objektivave strategjike të kompanisë, implementimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe realizimin e përgatitjeve sa më profesionale për fillimin e funksionimit si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë si dhe operacionalizimin e Bursës Shqiptare të energjisë ALPEX. Gjithashtu, siguroj të gjitha palët e interesit vendore dhe ndërkombëtare në përkushtimin tim për bashkëpunim profesional, gjithnjë në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të vendit”.