KOSTT dhe KEDS/KESCO bashkërendojnë përgatitjet teknike për fillimin e operimit të pavarur të KOSTT si Zonë Rregulluese brenda Bllokut AK
Në selinë qendrore të KOSTT, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Mustafë Hasani së bashku me bashkëpunëtor, priti në takim përfaqësuesit nga KEDS/KESCO në krye me z. Huseyin Ozen ku diskutuan në lidhje me bashkërendimin e përgatitjeve për fillimin operimit të pavarur të KOSTT si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë dhe koordinimin e përbashkët të aktiviteteve për sigurimin e transaksioneve ndërkufitare.
Në takimin e mbajtur dje me datë 1 dhjetor 2020, të RGCE (Regional Group of Continental Europe) është dakorduar që fillimi i operimit të KOSTT si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë, pra fillimi i implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E të bëhet me datën 14 dhjetor 2020 dhe si rezultat u diskutuan një mori çështjesh në funksion të furnizimit stabil me energji elektrike në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit z. Hasani theksoi se sfidë kryesore mbetet implementimi i Planit Aksional, i hartuar nga grupi punës në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, për furnizim stabil me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës.