KOSTT përmbyll vitin 2020 me suksese historike për kompaninë dhe gjithë sektorin e energjisë së Republikës së Kosovës


12/31/2020

Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike të Kosovës, ka përmbyllur vitin 2020 me suksese të jashtëzakonshme të cilat janë arritur falë angazhimit dhe përkushtimit shumëvjeçar. Këto suksese përbëjnë arritje historike jo vetëm për kompaninë por edhe për gjithë sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës.

  • - Pas një procesi të gjatë disa vjeçar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, hyri në fuqi më 14 Dhjetor 2020. Me këtë, më në fund u bë realitet operimi i pavarur i KOSTT si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë
  • - Pas më shumë se katër vite që nga përfundimi i ndërtimit të linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri në të dy anët e kufirit, më 14 Dhjetor 2020 përfundimisht linja e njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri” komercialisht u vu në funksion. Vënia në operim e linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri ka impakt pozitiv në optimizimin e dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese,  rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe regjionit si dhe ndikon në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.
  • -Themelimi i Bursës Shqiptare e Energjisë shënon një standard të ri të operimit në sektorin e energjisë. Një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e tregut konkurrues të energjisë elektrike për të dyja vendet Kosovë dhe Shqipëri, përmes së cilit do të sigurohet transparencë, konkurrencë në treg dhe shfrytëzim efikas i kapaciteteve interkonektive, në përputhje me politikat shtetërore të të dyja vendeve,  legjislacionin evropian dhe obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Në përmbyllje të suksesshme të vitit 2020, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve z. Jeton Mehmeti theksoi “viti 2020 ka qenë vit i shkëlqyeshëm për sa i përket arritjes së synimeve të KOSTT, kemi shumë projekte të radhitura për vitin e ardhshëm dhe jam i sigurt se me përkushtimin dhe vendosmërinë e të gjithëve do t’i përmbyllim objektivat e ardhshme strategjike me kohë dhe me suksese”.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z Mustafë Hasani theksoi “Po lëmë mbrapa një vit të brishtë dhe të vështirë në aspektin shëndetësor, por një vit shumë të suksesshëm në rrafshin profesional të kurorëzuar me shumë suksese, me dëshirën që kjo të jetë një pikënisje dhe fillim i ri për një rrugëtim të gjatë në zhvillim të mëtutjeshëm të kompanisë”.

Në përmbyllje të suksesshme të vitit 2020 u ndanë mirënjohje për punonjësit e angazhuar në procesin e fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe fillimin e operimit të KOSTT si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë.