Me realizimin adekuat të Planit vjetor të Mirëmbajtjes u sigurua shkallë e lartë e disponueshmërisë dhe besueshmërisë së Rrjetit të Transmetimit të Kosovës


1/5/2021

Në kuadër të fokusit të menaxhmentit për sigurimin e mbarëvajtjes së procesit të mirëmbajtjes dhe të operimit të sigurt dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani i shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Transmisionit z.Besim Gërxhaliu dhe Menaxheri i mirëmbajtjes së linjave z.Shaban Neziri sot realizuan një vizitë në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B ku u takuan me ekipet profesionale të mirëmbajtjes së linjave dhe ekipet e mirëmbajtjes së nënstacioneve të KOSTT. 
Në ambientet e Nënstacionit Kosova B që është një nga nënstacionet më të rëndësishme të Sistemit të Transmetimit të Kosovës, menaxhmenti i KOSTT u njohën nga afër me ecurinë dhe rezultatet e punës në kuadër të Planit vjetor të mirëmbajtjes së aseteve të rrjetit transmetues si dhe me sfidat me të cilat përballen ekipet e mirëmbajtjes gjatë punës. 
“Besueshmëria dhe siguria e sistemit të transmetimit varet nga gjendja teknike e stabilimenteve andaj u jam mirënjohës për përkushtimin, vullnetin dhe profesionalizmin e dëshmuar në mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit gjë e cila ka reflektuar në performancën e sistemit të transmetimit në vazhdimësi” theksoi me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani. 
Përkundër sfidave nga natyra e ndjeshme e punës si dhe ballafaqimit me pandeminë nga COVID 19, është siguruar shkallë e lartë e disponueshmërisë dhe besueshmërisë së rrjetit të transmetimit gjithnjë në funksion të përmbushjes së objektivës për sigurinë e furnizimit cilësor me energji elektrike, nga aspekti i transmetimit.