Vlerësohet i suksesshëm operimi i Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK)
Në takimin e përbashkët i cili u mbajt me datë 29 janar 2021 në Tiranë në mes të delegacioneve të nivelit të lartë të KOSTT dhe OST Shqipëri u vlerësua lartë bashkëpunimi ndër-institucional dhe puna profesionale e ekipeve homologe që rezultuan me operimin e suksesshëm të Bllokut rregullues të sistemeve energjetike Shqipëri-Kosovë (Blloku AK).
Kryesuesi i Bordit të drejtorëve të KOSTT z.Jeton Mehmeti dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani shprehën falënderimin e tyre për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësimit energjetik të Kosovës dhe fillimit të operimit të pavarur të KOSTT në kuadër të Bllokut AK, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E.
Me këtë rast gjithashtu u ndanë mirënjohje për Administratorin e OST z.Skerdi Drenova dhe ekipin profesional të OST për mbështetjen e pakursyer të KOSTT në implementimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe fillimin e operimit të pavarur të Sistemit të Transmetimit të Kosovës si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut AK.
Tutje në kuadër të takimit të punës i cili u zhvillua në mes të dy kompanive homologe, u diskutua për mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit si dhe për hapat e radhës në drejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm të tregut të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri dhe integrimit të mëtutjeshëm në tregun rajonal dhe ate panevropian të energjisë elektrike.