KOSTT promovon barazinë gjinore në vendin e punës


3/19/2021

Në kuadër të Programit ndërkombëtar për lidership, i zhvilluar në partneritet me Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), me 16 mars 2021 tre përfaqësues të KOSTT u diplomuan në Shkollën e Biznesit – McDonough, Universiteti Georgetown, në Programin e Lidershipit Ekzekutiv për Barazi Gjinore. Programi në fjalë i USAID, aplikon kurrikulën më të mirë në këtë kategori, që fuqizon ndërmarrjet nga mbarë bota në integrimin efektiv të iniciativave të barazisë gjinore brenda strukturave të korporatave të tyre. Nga ky program gati dy-vjeçar pjesë e së cilit ishte edhe KOSTT, u diplomuan tridhjetë menaxherë që punojnë në ndërmarrjet e ujësjellsit dhe energjisë nga vende të ndryshme të botës, me ç'rast procesi mësimor i vitit të fundit u mbajt në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë nga COVID-19.

“I jam mirënjohës USAID për mbështetjen e vazhdueshme drejtuar KOSTT-it derisa gjithnjë mbes i përkushtuar në fuqizimin e rolit të gruas dhe sigurimin e mundësive të barabarta pa dallim gjinie në kompaninë tonë. Këto, janë dy elemente të cilat i konsideroj si thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm shoqëror dhe ekonomik ”, theksoi Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani.

“Programi i Lidershipit Ekzekutiv të Barazisë Gjinore ndihmon kompaninë tonë që të përmbushë mandatin për barazi gjinore dhe të krijojë më shumë mundësi për gratë që të kenë sukses” u shprehën njëzëri ekipi KOSTT që ishte pjesë e programit. “Ne e dimë që përkushtimi ndaj barazisë gjinore mund të frymëzojë inovacionin si dhe të tërheqë dhe të ruajë talentin më të mirë. Ne gjithashtu e dimë që kur kemi më shumë gra në sektorë tradicionalisht të mbizotëruar nga meshkujt, organizata përfiton nga njohuri të reja dhe më të ndryshme për të trajtuar sfidat e biznesit.”

Programi i lidershipit i mëson pjesëmarrësit për të analizuar politikat dhe praktikat ekzistuese të kompanisë të cilat trajtojnë pabarazitë gjinore, si dhe për të përmirësuar performancën e kompanisë. Së bashku me trajnerin e tyre të përkushtuar për menaxhim të ndryshimeve, pjesëmarrësit nga ndërmarrjet partnere krijojnë plane veprimi për të adresuar boshllëqet dhe për të monitoruar përparimin e tyre drejt krijimit të një vendi pune ku ka barazi. Duke përdorur një mjet të personalizuar të kartelës me pikë të arritshmërisë, pjesëmarrësit dhe trajnerët e tyre u ndihmojnë organizatave që të marrin vendime strategjike, të bazuara në të dhëna, për t’i dhënë përparësi ndërhyrjeve të barazisë gjinore dhe për të përcjellur progresin e këtyre ndërhyrjeve dhe ndikimin e tyre në performancën organizative.

“Gratë janë të nënpërfaqësuara në fuqinë punëtore globale zyrtare, dhe veçanërisht në industritë e mbizotëruara nga burrat, si sektorët e energjisë dhe ujit. Kjo nuk është thjesht një çështje e drejtësisë, por është një mundësi e humbur ekonomike”, tha Corinne Hart, Këshilltare e Lartë për Barazi Gjinore nga USAID. “Studimet e ndryshme tregojnë se kur gratë shërbejnë si udhëheqëse dhe punonjëse të ndërmarrjeve private, bizneset përfitojnë dhe performanca e tyre përmirësohet.”

Një studim i zhvilluar së fundmi nga McKinsey ka analizuar më shumë se 1.000 kompani të 12 shteteve të ndryshme dhe ka arritur në përfundim se kompanitë të cilat kishin diversitet gjinor kishin më shumë gjasa të tejkalojnë mesataren e tyre të industrisë kombëtare për sa i përket përfitimit. Kompanitë të cilat kishin borde me përbërje të ndryshme gjinore, gjatë periudhave të krizës ose paqëndrueshmërisë, i tejkalonin kompanitë të cilat në bordet e tyre nuk kishin të përfshira gra.

Programi i lidershipit është pjesë e programit të USAID “Engendering Utilities”, i cili program bashkëpunon me 29 ndërmarrje të ujësjellësit dhe energjisë në 21 shtete të ndryshme me qëllim të krijimit të mundësive ekonomike për gratë. Programi “Engendering Utilities” ka mbështetur partnerët e kompanive në zbatimin e gati 450 ndërhyrjeve për barazi gjinore në organizatat e tyre. Këto ndërhyrje kanë rezultuar në punësimin e 1,115 grave, ndërsa gati 1000 gra janë ngritur në detyrë në ndërmarrjet partnere.

Në Programin e Lidershipit Ekzekutiv të Barazisë Gjinore, pjesëmarrës nga KOSTT ishin Alban Imeri, Arjeta Gashi dhe Arijeta Pajaziti-Qerimi.

Për më shumë informacione lidhur me programin e lidershipit, vizitoni faqen e internetit https://www.usaid.gov/energy/engendering-utilities/ ose përcjellni bisedat në rrjetet sociale në linkun #EngenderingUtilities.