#KOSTT mundëson punë praktike për personat me Sindromën Down


3/21/2021

Promovimi i gjithpërfshirjes sociale dhe i mundësive të barabarta si pjesë përbërëse të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm janë pjesë e përgjegjësisë korporative ku mobilizimi i komunitetit biznesor luan rol të rëndësishëm. Në këtë drejtim, integrimi i komunitetit me Sindromën Down dhe përgatitja e të rinjve të këtij komuniteti të ndjeshëm për një jetë të pavarur, po mundësohet nga ana e #KOSTT përmes punës praktike të ofruar për Medinën dhe Dionisin.

Këta dy të rinj tashmë kanë filluar praktikën 3 mujore dhe janë shumë të entuziazmuar për mundësinë që i’u ka ofruar KOSTT ku ata kanë gjetur një ambient miqësor dhe interesant pune. Derisa Dionisi me të drejtë thekson që “E drejta për punësim është e drejtë e garantuar”, Medina në anën tjetër potencon potencialin që ata si komunitet kanë për të krijuar “Mos shiko çfarë mundem, por sa shumë mundem” shprehet ajo.

Në Ditën Botërore të Sindromës Down, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani theksoi “jam i lumtur për mundësinë të cilën i’u kemi ofruar dy të rinjve me Sindromën Down me qëllimin për t’i përgatitur dhe motivuar për të ardhmen e tyre në tregun e punës. Shpresoj që kjo të shërbej në sensibilizimin e mëtutjeshëm të komunitetit biznesor në sektorin e energjisë në këtë drejtim”, u shpreh ai.

Puna praktike për dy të rinjët u mundësua falë partneritetit që ka krijuar KOSTT me Shoqatën #DownSyndromeKosova përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të dy institucioneve.