Menaxhmenti i lartë i KOSTT priti në takim Ministren e Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli


4/19/2021

Menaxhmenti i KOSTT në krye me Kryeshefin ekzekutiv z.Mustafë Hasani pritën në takim Ministren e Ekonomisë së Republikës së Kosovës znj.Artane Rizvanolli.

z.Hasani njoftoi ministren Rizvanolli me funksionimin dhe operimin e Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, si hallkë kyçe në zingjirin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike si dhe me rrugëtimin e KOSTT drejt pavarësimit energjetik të Kosovës nga Blloku SMM dhe fillimin e operimit të pavarur si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë.

Ministrja Rizvanolli u njoftua gjithashtu me angazhimet që po bëhen për menaxhimin, operimin dhe balancimin e suksesshëm dhe stabil të Sistemit të Transmetimit të Kosovës në kuadër të Bllokut AK, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E, si prioritet i rëndësishëm i KOSTT edhe karshi obligimeve ndërkombëtare në kuadër të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.

Ministrja e Ekonomisë përgëzoi KOSTT-in për punën profesionale dhe vlerësoi lartë arritjet e KOSTT në të gjitha drejtimet. “Është meritë e veçantë e juaja, e gjithë punonjësve të KOSTT ky progres i arritur si në funksionimin e sistemit të transmetimit në Kosovë ashtu edhe në integrimin dhe avansimin e Kosovës/KOSTT në mekanizmat ndërkombëtar të sektorit të energjisë”.

Ministrja Rizvanolli theksoi që sektori i energjisë është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe bashkëpunimi me KOSTT, si një nga akterët kyç në sigurinë e furnizimit është i rëndësisë së veçantë.

Ministrja Rizvanolli gjithashtu vizitoi edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT ku u njoftua rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.