KOSTT vlerëson partneritetin e vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, menaxhmenti i lartë i KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani, pritën në takim Joseph Farbeann, zyrtar ekonomik politik në Ambasadën e SHBA në Kosovë dhe z.Arben Nagavci specialist i menaxhimit të programit për energji në Agjencionin Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Misioni në Kosovë.
Zyrtarët e institucioneve amerikane u njoftuan për së afërmi rreth funksionimit të përgjithshëm të Sistemit të Transmetimit të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe fillimit të operimit të pavarur si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues të sistemeve energjetike Shqipëri-Kosovë.
Në kuadër të takimit z.Hasani theksoi “përkrahja e SHBA për KOSTT në zhvillimin e mëtutjeshëm të tregut të energjisë dhe integrim si dhe në aspektet e tjera luan rol të rëndësishëm në përforcimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike për qytetarët. Vlerësoj lartë partneritetin të cilin e kemi ndërtuar ndër vite me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja e vazhdueshme në procese të rëndësishme për KOSTT, mbetet e rëndësisë së veçantë për përparimin e sektorit”.
Në kuadër të vlerësimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes së përhershme, Kryeshefi i KOSTT z.Mustafë Hasani dorëzoi mirënjohje për Ambasadën e SHBA në Kosovë si dhe për USAID.
z.Farbeann dhe z.Nagavci vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT ku u njoftuan rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.