Mbahet mbledhja e përgjithshme vjetore me përfaqësuesin e aksionarit
Bordi i Drejtorëve të KOSTT udhëhequr nga Kryesuesi z.Jeton Mehmeti si dhe menaxhmenti i lartë i KOSTT në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Mustafë Hasani, me 11 qershor 2021 zhvilluan mbledhjen e përgjithshme vjetore me përfaqësuesin e aksionarit/Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Driton Tali, ku u prezantua dhe shqyrtua Raporti Vjetor për vitin 2020, Raporti i Auditorit të Jashtëm për Pasqyrat Financiare për vitin 2020 si dhe performansa e menaxhmentit gjatë vitit.
Përfaqësuesi i aksionarit u njoftua nga afër se përkundër sfidave me të cilat u ballafaqua i gjithë globi si pasojë e pandemisë Covid-19, KOSTT mbeti i përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe të besueshme për palët e kyçura në Sistemin e Transmetimit të Kosovës, derisa viti 2020 u përmbyll me rezultate të theksuara gjithëpërfshirëse dhe suksese të cilat shënuan arritje historike jo vetëm për kompaninë, por edhe për gjithë sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës. Në kuadër të takimit gjithashtu u konstatua se stabiliteti dhe menaxhimi adekuat financiar në KOSTT janë vërtetuar me Raportin e Auditorit të pavarur në pasqyrat financiare për vitin 2020 i cili ishte pa asnjë kualifikim.
Pas shqyrtimit dhe diskutimeve, z.Driton Tali, përfaqësues i Kuvendit të Kosovës-aksionarit të KOSTT, duke përfaqësuar të gjitha aksionet e lëshuara dhe evidentuara nga Qeveria e Republikes së Kosovës dhe votat përkatëse, pa vërejtje miratoi Raportin vjetor për vitin 2020 si dhe Raportin e Auditorit të pavarur në pasqyrat fiananciare për të njejtin vit.
Në kuadër të mbledhjes ishte konkludim i përgjithshëm që menaxhmenti i KOSTT ka dhënë kontribut të pazëvendësueshëm si dhe ka treguar një angazhim maksimal për arritjen e objektivave të përcaktuara me Planin e Biznesit duke u dëshmuar me përmbushjen e të gjitha objektivave të përcaktuara, derisa të gjithë indikatorët e performancës tekniko-financiare ishin pozitive.
z.Tali, gjithashtu vizitoi edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT ku u njoftua nga afër rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.
Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, të drejtat e aksionarit për KOSTT sh.a si kompani publike ushtrohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.