KOSTT fillon përgatitjet për investim kapital në ndërtimin e Nënstacionit të ri 110 kV në Ferizaj


7/9/2021

Në vazhdimësi të zhvillimit të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, KOSTT ka filluar përgatitjet për realizimin e investimit kapital për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/35/10(20)kV Ferizaj 3 (Kastriot). Në këtë drejtim, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani ka nënshkruar kontratë me Kryetarin e Komunës së Ferizajt z. Agim Aliu, për shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale për ndërtimin e nënstacionit të ri si dhe trasenë e linjës përcjellëse 110 kV.

Me këtë rast z.Hasani theksoi “Ky investim i planifikuar i KOSTT në vlerë prej afër 6.5 milion EUR vjen si rezultat i rritjes së kërkesës për energji elektrike në Komunën e Ferizajt kryesisht për shkak të zhvillimit të shtuar të veprimtarive biznesore në këtë komunë. Andaj, me këtë investim, ne do të rrisim sigurinë e furnizimit nga aspekti I transmetimit, duke mundësuar kështu kushte për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik në këtë komunë”.

Projekti për ndërtimin e Nënstacionit 110/35/10(20) kV Ferizaj 3 sipas teknologjisë më të fundit GIS, është projekt i KOSTT i planifikuar për realizim bazuar në Planin Zhvillimor të Transmetimit 2018-2027.