KOSTT vlerëson partneritetin e vazhdueshëm me Bankën Gjermane për Zhvillim-KfW
Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), u.d.Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu me bashkëpunëtorë, pritën në takim delegacionin e KfW në krye me z.Pablo Obrador, udhëheqës i Divizionit të Energjisë dhe Transportit në Evropën Juglindore dhe Turqi, z. René Eschemann, drejtor i zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni.
Në këtë takim z.Kadriu njoftoi të pranishmit rreth gjendjes aktuale dhe funksionimit të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës në kuadër të Bllokut Rregullues të sistemeve energjetike Shqipëri-Kosovë (Blloku AK). Delegacionet e KOSTT dhe KfW gjithashtu diskutuan edhe për zhvillimin dhe avansimin e mëtutjeshëm të Sistemit të Transmetimit të Kosovës në shërbim të rritjes së sigurisë së furnizimit, plotësimit të kritereve teknike për anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-E si dhe integrimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë (BRE) në rrjet, si një proces i rëndësishëm në kuadër të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe në funksion të tranzicionit energjetik vendor dhe global.
Nga ana e tij, z.Obrador komplementoi KOSTT-in për menaxhimin e suksesshëm teknik të procesit të pavarësimit dhe fillimit të operimit të pavarur në kuadër të Bllokut AK, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E si dhe shprehu kënaqësinë për jetësimin e projektit të bashkëfinancuar me Qeverinë Gjermane përmes KfW të linjës interkonektive 400 kV Shqipëri-Kosovë. “KOSTT ndër vite ka dëshmuar se është partner i besueshëm i KfW dhe ne kemi interesim për të vazhduar bashkëpunimin e mëtutjeshëm”, theksoi z.Obrador.
Në kuadër të vlerësimit të partneritetit shumëvjeçar në mes të KOSTT dhe KfW, bashkëpunimit dhe mbështetjes së përhershme, u.d.Kryeshefi i KOSTT z.Kadri Kadriu dorëzoi mirënjohje për Bankën Gjermane për Zhvillim KfW.
Me këtë rast z.Kadriu u shpreh “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane përmes KfW në procese të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar KOSTT. Besoj në vazhdimësinë e partneritetit tonë si një model i bashkëpunimit të suksesshëm gjermano-kosovar. Ne jemi të përkushtuar për të zhvilluar dhe modernizuar në vazhdimësi Sistemin e Transmetimit të energjisë elektrike si hallkë kyçe në zingjirin e sigurisë së furnizimit në vend dhe të ndërlidhur fuqishëm në rrjetin rajonal dhe atë evropian të energjisë elektrike” theksoi z.Kadriu.