Delegacioni nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë dhe KfW vizituan KOSTT
Bashkëpunimi në mes të RF të Gjermanisë dhe Kosovës në sektorin e energjisë me fokus në projektet për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të transmetimit si faktorë të rëndësishëm në sigurinë e furnizimit dhe integrimit në tregun rajonal dhe evropian të energjisë, ishin temat kyçe në takimin e zhvilluar në mes të zyrtarëve të lartë të RF të Gjermanisë dhe Kosovës.
Delegacioni i Qeverisë Gjermane në përbërje të Volker Oel, drejtor në Ministrinë e Bashkëpunimit Ekonomik të RF të Gjermanisë (BMZ), Michaela Brinkhaus, zyrtare përgjegjëse për Kosovën nga BMZ, René Eschemann, drejtor i zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga KfW dhe GIZ u pritën në ambientet e KOSTT nga u.d.Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu, zv.Ministri për Ekonomi z.Mentor Arifaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Ministria e Ekonomisë dhe KOSTT.
Duke u falënderuar për kontributin e vazhdueshëm financiar të Qeverisë Gjermane përmes KfW në zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të Kosovës ndër vite, u.d Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu i njoftoi të pranishmit rreth gjendjes aktuale dhe operimin në kuadër të Bllokut Rregullues të sistemeve energjetike Shqipëri-Kosovë (Blloku AK) si dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe integrimit në tregun rajonal dhe evropian të energjisë.
Zv.Ministri i Ekonomisë z.Mentor Arifaj foli rreth aktiviteteve dhe planeve të Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë si dhe shprehu kënaqësinë me bashkëpunimin në këtë sektor në mes të Kosovës/KOSTT dhe Shqipërisë.
Sektori i energjisë është një nga prioritetet e bashkëpunimit për Republikën Federale të Gjermanisë dhe e falënderoj KOSTT-in për frymën e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve për zhvillimin e sistemit të transmetimit me mbështetjen financiare të Qeverisë Gjermane nëpërmes KfW, theksoi z. Oel.
Në kuadër të takimit gjithashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të sistemit, në mbështetje të sigurisë së furnizimit me energji elektrike si faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e mirëqenie shoqërore në vend.
z. Gazmend Kabashi-menaxher për zhvillim dhe planifikim afatgjatë në KOSTT, në kuadër të takimit prezantoi pasqyrën e Sistemit Elektro-energjetik të Kosovës, benefitet nga investimet e realizuara përfshirë krijimin e kushteve për integrimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit.
Delegacionet gjithashtu vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në KOSTT ku u njoftuan rreth operimit në kohë reale të Sistemit të Transmetimit së Republikës së Kosovës.