Situata energjetike në vend - Thirrje për mobilizim të përgjithshëm në tejkalimin e situatës


12/22/2021

Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vëshirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjsë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Konsumi i energjisë elektrike në vend ka tejkaluar rekordet e rritjes normale me 10.8% rritje karahasuar me vitin e kaluar, derisa piku i ngarkesës në Sistemin e Transmetimit ka thyer rekordin e shenuar ndonjëherë me 1398 MW, ndërsa konsumi mesatar për orë është 1198 MWh/h. Ngarkesat e tilla në sistemin energjetik shkaktojnë amortizim të konsiderueshëm të aseteve si dhe mbingarkesa në pajisjet elektrike.

Sipas indikacioneve, rritja e konsumit është si pasojë e përdorimit të energjisë elektrike në mënyrë masive për ngrohje nga ana e konsumatorëve.

Si rrjedhojë e mosbalancës së theksuar në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar nga operatorët përgjegjës në treg, aktualisht janë duke u shkaktuar imbalance të mëdha ndaj sistemit interkonektiv, ku aktualisht rreth 40% e konsumit në Kosovë po tërhiqet nga sistemi interkonektiv i Evropës Kontinentale.

Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SwissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kanë kërkuar në mënyrë strikte ndërprjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian. Derisa monitoruesi i Bllokut AK në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen zonës rregulluese të Kosovës për situatën.

Për të ruajtur integritetin e sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe ate Evropian, Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST-të) janë të obliguara që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të balancuar konsumin, gjenerimin dhe importin brenda zonës së tyre rregulluese.

Bëhet thirrje publike për të gjithë qytetarët, institucionet, në përgjithësi të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike, që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale duke kursyer aty ku është e mundur. Kërkojmë mobilizim të të gjitha palëve të licencuara në tregun e energjisë për të ndërmarrë masa në përputhje me përgjegjësitë e tyre për tejkalimin e situatës, që të shmanget zbatimi i masave të parapara me Kodin e Rrjetit/Kodi Operativ për zvogëlimin e konsumit si masë e fundit e veprimit.

Bashkërisht mund të ruajmë furnizimin stabil me energji elektrike dhe integritetin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës i cili tashmë 1 vit funksionon si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK e integruar në zonën sinkrone të Evropës Kontinentale.