Sqarim në raportimin e mediave në ndërlidhje me pagesën e obligimeve financiare për humbjet e shkaktuara nga energjia e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës


4/4/2022

Për hirë të informimit të drejtë të opinionit dhe pasqyrimin e saktë të situatës në lidhje me temën që është publikuar fillimisht me datë 3 prill 2022 në Agjencinë e lajmeve KosovaPress me titull “KOSTT-i pranë kolapsit financiar s’ka para për ta paguar rrymën në veri të Kosovës” dhe të raportuar edhe në  disa media të tjera, KOSTT sh.a. sqaron:

Siç është potencuar në kuadër të temës “Në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, aktualisht për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe gjithsesi paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese.”

KOSTT sqaron që, vlera prej rreth €13 milion për humbjet e shkaktuara në pjesën veriore të vendit për janar dhe shkurt 2022 është kosto financiare të cilën KOSTT e ka obligim ndaj sistemit interkonektiv evropian, por nuk është kosto të cilën e ka paguar, kjo si pasojë e gjendjes së rënduar financiare të kompanisë që ka ardhur si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT.