U mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të personalitetit dhe veprës së ekspertit të shquar të sektorit të energjisë Skender Gjonbalaj


5/16/2022

Nën organizimin e KOSTT sh.a, sot u mbajt Mbledhja komemorative në nderim të personalitetit dhe veprës së ekspertit të çmuar të sektorit të energjisë z.Skender Gjonbalaj, Drejtor i Operimit të Tregut në KOSTT, i cili u nda dje nga jeta pas një sëmundje të shkurtë e të rëndë.
Skender Gjonbalaj dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin, operimin dhe në integrimin e tregut të energjisë të Kosovës. Bashkë-hartues i politikave rregullative të sektorit, dhe kontribues në politikat shtetërore të energjisë. 
Ai ishte gjithashtu një nga njerëzit kyç në krijimin e Bllokut energjetik Shqipëri-Kosovë, krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë dhe tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Skenderi ishte një ekspert shumë i çmuar, ishte profesionist i parimeve të larta, i përkushtuar e këmbëngulës në zhvillimin e avansimin e sektorit të energjisë.
Në mbledhjen komemorative sot në Prishtinë, përveç drejtuesve e bashkëkolegëve të KOSTT dhe familjes, pjesëmarrëse ishte edhe Ministrja e Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli si dhe drejtues e përfaqësues të shumtë të institucioneve të sektorit të energjisë vendore dhe ndërkombëtare, miq e bashkëpunëtorë. 
Ne sot, me pikëllim të thellë i kemi dhënë lamtumirën e fundit Skenderit, por me veprat e tij ai do të mbetet gjithnjë pjesë e jona, pjesë e Sektorit të Energjisë në Kosovë!