U mbajt Mbledhja e Përgjithshme Vjetore me Aksionarin


6/22/2022

Më 20 qershor 2022 në selinë qendrore të KOSTT Bordi i Drejtorëve në krye me Kryesuesin z.Jeton Mehmeti si dhe menaxhmenti i lartë në krye me U.D. Kryeshefin Ekzekutiv z.Kadri Kadriu, zhvilluan Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore me Aksionarin, Kuvendin e Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga z.Avni Zogjani.

Si trupi më i lartë vendimmarrës, në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore me Aksionarin u shqyrtuan dhe unanimisht u aprovuan Raporti i Auditorit të Jashtëm për Pasqyrat Financiare për vitin 2021, Raporti Vjetor i KOSTT për vitin 2021, si dhe performanca e menaxhmentit në zbatimin e objektivave strategjike të kompanisë.

Në kuadër të takimit, përfaqësuesi i aksionarit z. Avni Zogjani, u njoftua më hollësisht me performancën dhe të arriturat e KOSTT gjatë vitit 2021 dhe njëkohësisht me sfidat përfshirë reflektimin e krizës energjetike globale me të cilën u karakterizua kjo periudhë. Në kuadër të takimit u potencua që përkundër situatës së jashtëzakonshme të krizës energjetike me të cilën u ballafaqua Kosova ashtu sikurse edhe i gjithë globi në vitin 2021, KOSTT ka luajtur rol të rëndësishëm si në stabilitetin e rrjetit të brendshëm ashtu edhe në ruajtjen e integritetit të Sistemit Elektroenergjetik të Republikës së Kosovës karshi atij Evropian.

Përfaqësuesi i Aksionarit z.Avni Zogjani ka vlerësuar angazhimin dhe performancën e menaxhmentit në zbatimin e objektivave strategjike të kompanisë dhe njëherit ka shprehur përkrahjen e plotë për KOSTT.

Sipas Ligjit për energjinë elektrike nr.05/L-085 të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit për KOSTT SH.A si kompani publike ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.