Drejtoresha e MCC znj. Albright dhe Ministrja e Ekonomisë znj.Rizvanolli vizituan sajtin e projektit të baterisë akumuluese


10/26/2022

Në rrugëtimin drejt dekarbonizimit dhe një të ardhme të qëndrueshme për ne dhe gjeneratat që vijnë, me mbështetjen e partnerit tonë strategjik Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), do të realizohet projekti më unik në Kosovë në sektorin e energjisë ndonjëherë.

Në kuadër të investimit të MCC përmes Programit Kompakt i cili u nënshkrua nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe SHBA në muajin korrik 2022, projekti i baterive do të ketë ndikim të theksuar në balancimin e sistemit në kohë reale si dhe do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e vendit.

Në vizitën që realizoi Drejtoresha e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) znj. Alice Albright së bashku me Ministren e Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli në lokacionin ku do të vendoset bateria akumuluese, Kryeshefi i KOSTT z.Evetar Zeqiri së bashku me ekipin e KOSTT falënderuan znj.Albright për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë Amerikane si dhe njoftuan nga afër delegacionin me përparësitë dhe mundësitë që ofron ky projekt për të ardhmen e Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës. 

Përmes teknologjisë që ofron bateria akumuluese me kapacitet prej 45 MW e cila do të menaxhohet nga ana e KOSTT, ky projekt do të ketë ndikim në rritjen e fleksibilitetit të sistemit si dhe do të krijohen kushte të përshtatshme për integrimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë në Sistemin e Transmetimit duke shënuar kështu një hap konkret në mbështetje të rrugëtimit tonë drejt tranzicionit të drejtë të energjisë.

Në kuadër të vizitës i pranishëm ishte edhe drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, zyrtarë të lartë të MCC dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë.