Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT priti në takim delegacionin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri me bashkëpunëtor, priti në takim përshëndetës znj. Sarah Olmstead, Drejtore e deritanishme për Kosovë të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit- MCC si dhe u njoftuan me z. Rinor Gjonbalaj, Drejtor për Kosovë-MCC, dhe znj. Caitlin L. Reichart, zv. Drejtore për Kosovën.
Në kuadër të takimit u diskutua rreth angazhimeve të KOSTT për mbështetjen e implementimit të projektit të sistemit akumulues të baterive 90MWh, si dhe përgatitjet për plotësimin e detyrave që rrjedhin nga marrëveshja e Programit Kompakt e nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Me këtë rast z. Zeqiri duke i falënderuar të pranishmit për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, u zotua për përkushtim maksimal të KOSTT në përmbushjen e detyrave dhe plotësimin e kushteve gjatë procesit të implementimit të projektit të baterive i cili do të ketë ndikim të theksuar në balancimin e sistemit në kohë reale si dhe do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e vendit.