U mbajt mbledhja e radhës e Asamblesë së Përgjithshme të ALPEX


2/24/2023

Sot, në ndërtesën e OST Shqipëri, u mbajt mbledhja e radhës e Asamblesë se Përgjithshme të ALPEX, ku  Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri dhe Administratori i Përgjithshëm i OST Shqipëri z.Skerdi Drenova, në cilësinë e aksionarëve të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) miratuan Programin e Zhvillimit Ekonomik të ALPEX për vitin 2023 dhe caktimin e Audituesëve Ligjor të ALPEX për auditimin e pasqyrave financiare të vitit 2022.

Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Zeqiri theksoi “Në vazhdimësi të bashkëpunimit OST dhe KOSTT si aksionarë të ALPEX, sot miratuam dokumente në mbështetje të operacionalizimit të ALPEX, i cili do të inkurajojë investime të reja në gjenerimin e energjisë elektrike dhe në rrjetet e transmetimit në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve ekzistuese të energjisë në të dyja vendet“.

ALPEX është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për rindërtimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe politikat qeveritare për zhvillimin e këtij sektori. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të dy vendet njohin ALPEX si të vetmen Bursë Energjetike për të organizuar, operuar dhe mbajtur bashkimin e tregut me shumicë (Market Coupling) një dite para dhe brenda ditës ndërmjet tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës.