Angazhimi dhe kontributi i institucioneve të Kosovës, qenësor për të shmangur mosbalancën e theksuar të energjisë elektrike në vend


3/7/2023

Për të diskutuar sifidat me të cilat po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Republikës së Kosovës dhe sensibilizimin rreth situatës në sektorin e energjisë, sot, me 7 Mars 2023, përfaqësuesit e lartë nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i ENTSO-E, z. Laurent Rosseel dhe z. Albino Marques, së bashku me Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve z. Jeton Mehmeti dhe Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT z. Evetar Zeqiri, mbajten takime të ndryshme në nivel shtetëror si dhe me të gjithë akterët e sektorit të energjisë.

Në takimin e mbajtur me anëtarët e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, deputetët u informuan për së afërmi me vështirësitë me të cilat po përballet KOSTT në proceset e integrimeve rajonale dhe evropiane si pasojë e devijimeve të shkatuara nga konsumi i energjisë elektrike të shfrytëzuar dhe jo paguar në pjesën veriore të Kosovës, imbalancet e shkaktuara nga palët tjera dhe pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin. Me këtë rast Kryetari i Komisionit z. Ferat Shala, u zotua që do të mbështesin KOSTT në përmirësimin e gjendjes me të cilën po përballet duke ritheksuar që Kosova ka luajtur rol proaktiv gjatë viteve duke nënshkruar Marrëveshjet për Energji me Serbinë, por që nuk ka pasur vullnet bashkëpunimi nga ana e tyre.

Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës Sh.T.Z. Glauk Konjufca, gjatë takimit potencoi që zbatimi i Udhërrëfyesit për implementimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë primare për të zgjidhur sa më parë çështjen e pagesës së faturave të energjisë së konsumuar nga qytetarët në atë pjesë të vendit, duke kërkuar që ti bëhet presion shtetit serb në implementimin e plotë të Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në mes ty dy shteteve.

Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli i njoftoj z. Rossel dhe Z. Marques, që furnizimi i sigurt me energji elektrikë të qytetarëve të Kosovës është prioritet i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës ku në këtë drejtim janë ndërmarr hapa konkrete, përmes masave për subvencionim të efiçiencës së energjisë elektrike dhe faturave të energjisë elektrike bazuar në kursim, të cilat kanë ndikuar në rënje të konsumit.

Udhëheqësit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) në krye me Kryesuesin e Bordit z. Ymer Fejzullahu, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në krye me Kryeshefin Ekzekutiv z.Nagip Krasniqi, ofruan pikpamjet e tyre për sfidat e sektorit të energjisë dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve. Ndërsa përfaqësuesit e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) z. Husein Omer dhe z. Ermal Koçi, u pajtuan që do të bëjnë përpjekje maksimale që devijimet e tyre të janë në vlera minimale.

Dakordimi i të gjithë akterëve të sektorit të energjisë ishte se balancimi i sistemit është i domosdoshëm për funksionimin e KOSTT si zonë rregulluese e pavarur, në kuadër të Bllokut Rregullues me Shqipërinë (Blloku AK) dhe në punë paralele me sistemet tjera të Evropës Kontinentale, prandaj përfaqësuesit e Grupit Regjional të Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E kërkuan zotim dhe zgjidhje konkrete nga të gjitha palët, për ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian, të cilat rrezikojnë seriozisht Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E.