Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, znj. Atifete Jahjaga vizitoi KOSTT-in
Sot, më 3 Mars 2023, ish Presidentja e Republikës së Kosovës dhe themeluese e Fondacionit Jahjaga, znj. Atifete Jahjaga vizitoi KOSTT, ku u prit në takim nga Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri si dhe mbajti një ligjëratë për gratë punonjëse të KOSTT, ku ndau përvojat e saja në përpjekje të fuqizimit dhe arritjes së barazisë gjinore gjatë mandatit të saj si Presidente e Republikës së Kosovës, e deri më sot.
Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Zeqiri theksoi ‘’Duke vlerësuar lartë angazhimin tuaj ndër vite në funksion të kësaj kauze, dëshirojmë ta dëshmojmë dhe të zotohemi që edhe ne si kompani do të punojmë edhe më shumë në arritjen e barazisë gjinore. Gratë luajnë një rol të rëndësishëm në pozitat menaxheriale brenda sektorit të energjisë. Përderisa industria e energjisë po përballet me sfida dhe mundësi të reja, këndvështrimet dhe përvojat e ndryshme kontribuojnë në vendim-marrje më efektive dhe të balancuar. Inkurajimi i grave për të marrë role drejtuese dhe promovimi i një ambienti të punës më gjithëpërfshirës, është provuar që ofrojnë rezultate më të mira dhe të qëndrueshme’’
‘’Balancimi i jetës profesionale me atë personale është padyshim sfidë e madhe dhe sigurisht që përpjekja për të menaxhuar jetën personale dhe atë profesionale kërkon angazhim dhe përkushtim të madh, prandaj ju inkurajoj të jeni edhe më të zëshme në arritjen e barazisë gjinore në këtë sektor e cila tradicionalisht ka qenë e dominuar nga burrat’’ u shpreh znj. Jahjaga.
Gjatë mandatit të saj si Presidente e Republikës së Kosovë znj Jahjaga, ka qenë shtytëse e proceseve për modernizim të sektorit të energjisë në vend siç është Programi Kompakt i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), si dhe fuqizimin e vajzave në fushat STEM përmes projekteve të ndryshme të fondacionit të cilën ajo e udhëheq.