Menaxhmenti i lartë i KOSTT priti në takim Zëvendës Ambasadorin e Republikës Federale Gjermane z. Conrad
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri me bashkëpunëtorë priti në takim zëvendës Ambasadorin e Republikës Federale Gjermane z. Matthias Conrad, i shoqëruar nga z. Moritz Reme, Drejtor i zyrës së KfW për Kosovë dhe znj. Ganimete Huruglica zv. Drejtore e zyrës së KfW për Kosovë.
z. Conrad u njoftua në lidhje me operimin e përgjithshëm të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, ku ndër të tjera u prezantuan edhe kapacitetet e Rrjetit të Transmetimit, zhvillimi i tregut të energjisë elektrike si dhe aktivitetet e ardhshme drejt objektivave të Strategjisë së Energjisë.
z. Zeqiri me këtë rast shprehu mirënjohjen e tij ndaj Qeverisë Gjermane për kontributin e vazhdueshëm financiar përmes KfW, ku së fundmi u nënshkrua edhe marrëveshja për kredi për implementimin e fazës së ardhme të investimeve (Faza VII) për zhvillimin dhe modernizimin e Sistemit të Transmetimit, e cila është e fokusuar në projektet e përkrahjes së ngarkesës në regjione të ndryshme të Republikës së Kosovës, si dhe në ngritjen e kapaciteteve transformuese dhe transmetuese të rrjetit.