Kryeshefi Ekzekutiv priti në takim ekipin për energji të Agjensionit Francez për Zhvillim dhe Ekspertise France


7/19/2023

Për të diskutuar axhendën e tranzicionit të drejtë dhe zhvillimin e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme në Kosovë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri me bashkëpunëtor ka pritur sot delegacionin nga Agjencia Franceze për Zhvillim i udhëhequr nga z. Sebastien Carreau Menaxher i Operacioneve për Zyrën në Kosovë dhe Shqipëri, në prani të znj. Juliette Rose, z. Olivier Grandvoinet dhe z.Krenar Bujupi.

Në kuadër të takimit, është diskutuar për mundësitë e vendosjes së bashkëpunimit për mbështetje të KOSTT në realizimin e projekteve të planifikuara në kuadër të Planit Investiv, si dhe integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme në rrjetin transmetues. Një tjetër temë e rëndësishme që u trajtua ishte transpozimi i rregulloreve teknike të pakos së re të energjisë elektrike, përfshirë edhe temat si digjitalizimi i nën-stacioneve, siguria kibernetike dhe tema tjera me interes të përbashkët.

Duke qenë se tranzicioni i energjisë është një sfidë e madhe për sektorin, është e nevojshme të ndërmerren ndryshime të domethënëse, duke filluar nga reduktimi i prodhimit të energjisë nga burimet e lëndëve fosile dhe drejt përdorimit të burimeve të energjisë së gjelbër. KOSTT ka përkushtuar të gjitha kapacitetet e veta për përmbushjen e kësaj objektive.

Ne shpresojmë që ky takim të shërbej si pikë nisje e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe efektiv në ndërtimin e një sistemi energjetik modern dhe të qëndrueshëm për Kosovën.