Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT priti në takim delegacionin gjerman në krye me zv. Ambasadorin e Republikës Federale Gjermane z. Conrad
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri me bashkëpunëtorë priti në takim zëvendës Ambasadorin e Republikës Federale Gjermane z. Matthias Conrad, i shoqëruar nga z. Moritz Reme, Drejtor i zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, znj. Ganimete Huruglica zv. Drejtore e zyrës së KfW për Kosovë si dhe znj. Nora Hasani Drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Në takim u prezantua një pasqyrë e përgjithshme e operimit të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës si dhe sfidat në ndërlidhje me obligimet financiare të KOSTT ndaj partnerëve brenda ENTSO-E për devijimet e shkaktuara, përfshirë edhe mbulimin e humbjeve të shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të vendit.
z. Zeqiri falënderoi Qeverinë Gjermane për kontributin e saj në mbështetjen e ofruar gjatë procesit të arritjes së marrëveshjes së kyçjes në ENTSO-E dhe vazhdimit të saj që pritet vitin e ardhshëm. Po ashtu, vlerësoi edhe bashkëpunimin financiar ndër vite me KfW, duke theksuar nevojën për ratifikim të Marrëveshjes për kredi në vlerë 25.5 milion € (Faza VII) për zhvillimin dhe modernizimin e Sistemit të Transmetimit, e cila është duke pritur prej kohësh për t’u ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kjo kredi është jetike për ne e cila parasheh investime kritike që do të përmirësonin sigurinë e furnizimit dhe krijimit të kushteve më të mira për integrimin e burimeve të ripërtëritshme
Zëvendës Ambasadori Conrad theksoi rëndësinë që KOSTT të shlyejë obligimet ndaj ENTSO-E, të sigurojë balancimin e sistemit dhe të reduktojë devijimet në minimum. Ata diskutuan gjithashtu pengesat burokratike për investitorët e mundshëm në sektorin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.