Akordohet kredia e tretë nga Qeveria Gjermane për zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të energjisë elektrike, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim
Sot, në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeshefi Ekzekutiv i #KOSTT z. Evetar Zeqiri dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati, në prani të zëvendës Ambasadorit të Ambasadës se Republikës Federale Gjermane Z. Matthias Conrad, zëvendës Ministrit për Ekonomi z Getoar Mjeku dhe znj. Ganimete Huruglica zv. Drejtore e zyrës së #KfW për Kosovë, nënshkruan Marrëveshjen për Nën-huazim për Projektin ‘’Zhvillimi i sektorit të energjisë Faza VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit’’, përmes së cilës do të bëhet financimi i një sërë projekteve të radhës për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Nën-huazim, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në zhvillimin e projekteve në sektorin e energjisë. Po ashtu duke falënderuar edhe Bankën Gjermane për Zhvillim për kredinë e akorduar, z.Zeqiri theksoi '‘KfW, si partner strategjik i KOSTT, do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm në përpjekjet tona për të avancuar më tutje Sistemin e Transmetimit të Kosovës. Përkushtimi ynë për zhvillim dhe përmirësim të infrastrukturës transmetuese në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare do të ndihmojë në sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas për furnizimin e energjisë elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”
Në këtë rast, Ministri Murati shtoi se zhvillimi i sektorit të energjisë është prioritet kyç për Qeverinë e Kosovës, ndërsa Zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Matthias Conrad edhe një herë theksoj se shteti Gjerman është i përkushtuar të mbështes rrugën e transformimit të energjisë së Kosovës për energji të pastër.
Marrëveshja në fjalë parasheh sigurimin e kredisë komerciale afatgjate nga KfW me kushte kredituese të buta në vlerë prej € 25,5 milion, kjo është kredia e tretë komerciale që Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim-KfW i akordon Republikës së Kosovës. KOSTT paralelisht me këtë projekt, ka paraqitur disa projekte për aprovim për grante tek dy institucione kredibile si Korniza e Investimeve të Ballkanit Përendimor (WBIF) dhe Fondet për Instrumentin e Para-Antarësimit (IPA) në vlerë prej rreth 25 milion, që do t’i bashkohen kësaj pako investive.