U mbajt Ceremonia e Inaugurimit të operacionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregut të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri


3/5/2024

Më 4 Mars 2024 në prani të figurave të larta shtetërore të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë si dhe miqve tanë ndërkombëtarë, u inaugurua operacionalizimi i Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Në një treg të bashkuar Bursa Shqiptare e Energjisë-ALPEX, është edhe një nga projektet më madhore që shënon një arritje kilometrike të një objektivi të rëndësishëm për qytetarët dhe shtetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Një standard i ri i operimit në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Kryeministri i Republikës së Kosovës Sh.T.Z. Albin Kurti duke uruar të dyja shtetet, theksoi ‘’ Inaugurimi i ALPEX-it shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Sinergjia në energji është fuqi që na duhet dhe e duam. Bashkëpunimi nga kompanitë tona të energjisë mundësohet nga komplementariteti i sektoreve tona të energjisë. ALPEX-i është jetësimi i këtij bashkëpunimi. Tash shkëmbimet bëhen përmes bursës sonë të përbashkët. Sikur Kosova të mbetej ende treg i izoluar i energjisë, do të kishim tregtuar 9134 megavatë orë energji gjatë muajit shkurt. Me bashkimin e tregjeve me Shqipërinë, që njihet si “Market Coupling” kjo shifër arrin në 28,106 megavatë orë, pra më shumë se trefishi. Vetëm sot janë tregtuar 3282 megavatë orë në coupling, duke vendosur kështu rekord për sasinë e tregtuar.’’

Minsitrja Rizvanolli me këtë rast shtoi ‘’ Sot, si institucione e si qytetarë të Republikave tona, me ALPEX-in ne kemi një një platformë tregtuese që siguron efiçencë, konkurrencë të shëndoshë e tranparencë – në mënyrën se si tregtohet energjia e se si formohen çmimet e tregut, që është KAQ e rëndëishme për të gjithë, sepse këto kanë ndikim në çmimin përfundimtar që e paguajnë familjet e bizneset tona.’’

Znj. Eileen Devitt, Drejtore e USAID në Kosovë theksoi ''Ne e kemi mbështetur këtë iniciativë të bashkimit të tregut duke e ditur se integrimi rajonal është kyç për të siguruar një të ardhme të pastër, të sigurt dhe efikase të energjisë në Kosovë. ALPEX në veçanti do të stimulojë konkurrencën, do të nxisë çmimet e drejta dhe do të zgjerojë zgjedhjet e konsumatorëve. Lansimi i tij në Kosovë nënkupton një moment kyç për peizazhin energjetik të vendit.

Me këtë rast në fjalën e tij Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri u shpreh “Lancimi i bursës në zonën e ofertimit në Kosovë jo vetëm që përmbyll ciklin e kompletimit të ALPEX si ndërmarrje, mirëpo kjo ngjarje është edhe epilog i një procesi mbi dy dekada të reformave në sektorin e energjisë. Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona në fushën e energjisë. Kjo platformë shënon një standard të ri të operimit në sektorin e energjisë, i cili do të garantojë më shumë transparencë dhe konkurrencë në tregun e energjisë elektrike si dhe do të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare si dhe pritet që çmimi i energjisë elektrike do të ulet për qytetarët e të dyja vendeve. Alpex si bursa e dytë operacionale në ballkanin perendimor, është ndëmarrje e veçantë sepse paralelisht me sukses po lancon bursën për zonën e ofertimit në Kosovë dhe bashkimin e tregjeve në të njëjtën ditë. z. Zeqiri në fund shprehi mirënjohje dhe falenderim për të gjithë punonjësit që kontribuan në jetësimin e këtij projekti përfshirë mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtar. Urime Kosovë, Urime Shqipëri!’

ALPEX është pjesë e reformës së ndërmarrë nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, për rindërtimin e sektorit të energjisë elektrike, në përputhje me ligjin dhe politikat qeveritare për zhvillimin e këtij sektori. Në kuadër të këtij bashkëpunimi të dy vendet njohin ALPEX si të vetmen Bursë Energjetike për të organizuar, operuar dhe mbajtur bashkimin e tregut me shumicë (Market Coupling) një ditë para dhe brenda ditës ndërmjet tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës.