KOSTT ndau 10 bursa për vajzat që studiojnë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike
Në kuadër të aktiviteteve të muajit Mars, në përkrahje të grave, duke e konsideruar si shtyllë të emancipimit të shoqërisë, sot në një ngjarje ceremoniale në praninë e Ministres së Ekonomisë znj.Artane Rizvanolli, Kryeshefit Ekzekutiv z.Evetar Zeqiri, anëtares së Bordit të Drejtorëve të KOSTT znj Ajrina Gashi-Hamdiu, Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. prof.dr Isak Shabani dhe përfaqësuesve të organizatës Woman in Energy and Mining, KOSTT sh.a ndau dhjetë bursa për vajzat që studiojnë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK)
Në fjalën e saj Ministrja Rizvanolli përgëzoj studentet që i kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore për të fituar bursën nga ndërmarrja KOSTT, dhe njëherit shprehu mirënjohjen për kontributin që jep KOSTT në përkrahje të vajzave në shkollim e avancim.
Kryeshefi Ekzektuiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri, ndër tjera tha se KOSTT identifikohet si kompani e garës për dije, e konkurrencës, por edhe e mundësive të mëdha. Ai u zotua se edhe në të ardhmen do të vijojnë të punojnë për avancimin e femrave, në ngritjen e kapaciteteve të denja për kërkesat dhe sfidat me të cilat përballet bota bashkëkohore gjithherë në të mirë të kompanisë.
Znj. Gashi-Hamdiu në adresimin e saj, inkurajoi të gjitha vajzat të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të jenë këmbëngulëse në drejtimet STEM sepse profesioni nuk njeh gjini.
Falënderim dhe urim të veçantë në emër të Universitetit dhe fakultetit bëri dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike Prof. Dr Isak Shabani, duke e konsideruar si një ngjarje të veçantë në veprimtarinë e vazhdueshme të KOSTT në përkrahje të kuadrove në fushën e energjetikës.