Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Kosovë z. Joern Rohde vizitoi KOSTT


1/29/2024

Sot, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Evetar Zeqiri priti në takim Shkëlqesinë e Tij Ambasadorin e RF Gjermane në Kosovë z.Joern Rohde ku rikonfirmuan bashkëpunimin e ngushtë në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit gjerman. Gjatë takimit është diskutuar mbi bashkëpunimin frytëdhënës ndërmjet dy shteteve e në veçanti në sektorin energjetik, duke përfshirë mbështetjen dhe projektet e financuara në sektor të energjisë nga shteti gjerman në të kaluarën dhe projektet që parashihen në të ardhmen.

Kryeshefi Ekzekutiv z.Zeqiri ka falënderuar shtetin gjerman dhe Ambasadorin z. Rohde për mbështetjen e ofruar ndaj #KOSTT dhe sektorit të energjisë ‘’Falënderojmë shtetin gjerman për mbështetjen e tyre të pandërprerë në rrugën tonë drejt një energjie më të qëndrueshme dhe të sigurt. Si KOSTT, ne kemi gëzuar përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të sistemit tonë të energjisë e në veçanti gjatë tri viteve të fundit ku sektori është përballur me krizën energjetike. Po ashtu, Kryeshefi kërkoi nga Ambasadori Gjerman mbështetje të mëtejmë për KOSTT nga TSO-të gjermane në procesin e avancimit të statutit të KOSTT për anëtarësim me të drejta të plota në ENTSO-E.

Ambasadori gjerman z. Rohde theksoi rëndësinë e projekteve dhe investimeve të financuara nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) ku ndër të tjera shprehu vlerësimin e tij për punën e KOSTT dhe interesin e vazhdueshëm të Gjermanisë për të përkrahur zhvillimin e sektorit energjetik në Kosovë.

Faleminderit shtetit gjerman për mbështetjen e tyre të pandërprerë në rrugën tonë drejt një energjie më të qëndrueshme dhe të sigurt