KOSTT dhe MCA-Kosovë nënshkruajnë Marrëveshjen për Zbatimin e aktivitetit për instalimin e sistemit të ruajtjes të energjisë përmes baterive në kuadër të Marrëveshjes “Kompakt” ndërmjet MCC-së dhe Republikës së Kosovës
Sot shënuam edhe një moment të rëndësishëm në historinë e sektorit energjetik të Republikës së Kosovës, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri dhe Kryeshefja Ekzekutive e MCA-Kosovë znj. Florina Duli Sefaj nënshkruan Marrëveshjen me subjektin zbatues të Programit “Kompakt” për instalimin e sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS).
Ky moment historik është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndër vite në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e cila në kuadër të programit Kompakt, synon instalimin e sistemit te ruajtjes se energjisë nëpërmjet baterive me kapacitet prej 170 MW (apo 340 MWh), me një vlerë totale prej 180 milion $, ndërsa KOSTT pritet që të përfitojë nga ky projekt bateri me kapacitetit prej 45 MW (apo 90 MWh), në vlerë prej rreth 46.2 milion $.
Me zbatimin e kësaj marrëveshje, KOSTT merr përsipër përgjegjësinë për të mbështetur MCA-Kosovë për implementimin e projektit, e cila përfshin plotësimin e kushteve pararendëse, përgatitjen gjatë projektimit, si dhe mbikëqyrjen gjatë fazës së ndërtimit, komisionimit dhe energjizimit të projektit të BESS.
Me këtë rast Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Evetar Zeqiri, ka shprehur falënderim ndaj Qeverisë së Kosovës, popullit zemërgjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe MCC për mbështetjen e tyre, duke theksuar zotimin për përfundimin e projektit në mënyrë të përsosur ‘’Falënderojmë Qeverinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe MCC për mbështetjen e tyre në këtë projekt. Ky hap i rëndësishëm drejt tranzicionit energjetik kontribuon dukshëm në rritjen e aftësive balancuese të KOSTT, ndihmon në sigurimin e shërbimeve ndihmëse për KOSTT në integrimin e Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë dhe rritë sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend. Ne zotohemi që do të përkushtohemi për përfundimin e projektit në mënyrë të përsosur duke u shërbyer më mirë qytetarëve tanë për një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe modern’’.
Znj. Florina Duli Sefaj Kryeshefe Ekzekutive e MCA-Kosovë theksoi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme të qëndrueshme dhe inovative për sektorin e energjisë në Kosovë, dhe është në funksion të mbështetjes për integrimin e burimeve të ripërtrishme, njëkohësisht duke kontribuar në përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Energjisë së Kosovës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ajo njëkohësisht theksoi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për zbatimin e Kompaktit në tërësi. MCA – Kosovë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të ketë përgjegjësinë për zbatimin e këtij aktiviteti në bashkëpunim të ngushtë me KOSTT.