Si shembull suksesi KOSTT, pjesëmarrës në Konferencën “Avancimi i Barazisë Gjinore në Vendin e Punës” e cila u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës


5/15/2024

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri dhe Menaxherja e Zyrës për Komunikim dhe Relacione me Publikun znj. Arjeta Gashi, ishin pjesë e Konferencës përmbyllëse së nivelit të lartë të programit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID “Engendering Industries” e cila u mbajt në Washington, DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë “Avancimi i Barazisë Gjinore në Vendin e Punës”.

Z. Zeqiri ishte pjesë e panelit qendror me temën “ Roli i lidershipit në avancimin e barazisë gjinore në fuqinë punëtore“. Ai në fjalimin e tij shpalosi programet dhe iniciativat e zbatuara në KOSTT duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave duke shprehur optimizëm të madh në avancimin e pozitës së gruas në institucionin që ai udhëheq. Me këtë rast z. Zeqiri theksoi "Për KOSTT, sigurimi i harmonizimit strategjik për barazinë gjinore do të jetë një angazhim afatgjatë, ku për herë të parë në historinë e kompanisë, për ta avancuar më tutje këtë kauzë, ne kemi përfshirë në strategjinë e kompanisë një objektivë specifike për barazinë gjinore"

Pjesëmarrës në këtë Konferencë ishin lider të institucioneve të rëndësishme dhe ekspert të lartë për Çështje Gjinore ndër të tjerë edhe znj. Rachel Vogelstein, Zëvendës Drejtoreshë, Këshilli i Politikave Gjinore në Shtëpinë e Bardhë me ç'rast Kryeshefi Ekzekutiv pati mundësinë ta takoj dhe njoftoj më për së afërmi me punën dhe angazhimet e KOSTT në drejtim të arritjes së objektivave për barazi gjinore në kuadër të këtij programi.

Së fundmi KOSTT ka aprovuar Strategjinë për Barazi Gjinore, Diversitet dhe Gjithëpërfshirje. Aprovimi i kësaj Strategjie u vlerësua lartë nga programi i USAID dhe të pranishmit si një praktikë e mirë korporative, dhe shënon një nismë transformuese për kompaninë, duke e bërë KOSTT ndërmarrje udhëheqëse në industrinë e energjisë me një qasje që thekson rëndësinë e barazisë gjinore dhe diversitetit, dhe gjithëpërfshirjes në vendin e punës.