Pronësia e Aseteve të Reja të Kyçjes së Transmetimit të Parkut Energjetik nga Era Selaci, i transferohet KOSTT Sh.A


5/24/2024

Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar për Kyçje në Sistemin Transmetues të Republikës së Kosovës në vitin 2018, sot me 24 Maj 2024, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTTSh.A dhe "SOWI Kosovo" Sh.P.K , nënshkruan Marrëveshjen për transferimin e pronësisë së Aseteve të Reja të Kyçjes së Transmetimit, pas përfundimit të të gjithë dokumentacionit dhe punëve teknike për përmbylljen e këtij procesi.

Parku Energjetik me Erë, Selaci 1, 2 dhe 3, me një kapacitet të përgjithshëm prej 105 MW, është gjeneruesi më i madh i energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme në Kosovë dhe është i kyçur në linjë të tensionit të lartë 110 kV e cila përfshin një linjë transmetimi prej 19.7 kilometrash që kalon nëpër komunat e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, KOSTT merr përsipër pronësinë dhe menaxhimin e operimit dhe mirëmbajtjes së aseteve të reja transmetuese, duke përforcuar kështu infrastrukturën energjetike të Kosovës dhe kapacitetet e saj të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Vlera totale e këtyre aseteve të reja të kyçjes së transmetimit është 6,117,480.50 Euro. Ky investim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Kosovës, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën energjetike dhe duke rritur kapacitetet e burimeve të ripërtërishme të energjisë në vendin tonë.