Ministrija e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli vizitoi Qendrën Nacionale Dispeçerike në kuadër të KOSTT


12/31/2023

Me rastin e ndërrimit të motmotove Ministrja e Ekonomisë, Znj. Artane Rizvanolli, vizitoi Qendrën Nacionale Dispeçerike të KOSTT, duke shprehur përkrahjen dhe vlerësimin e Ministrisë ndaj stafit kujdestar në këtë periudhë festash. Ministrja Rizvanolli u prit nga Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve z. Jeton Mehmeti dhe Kryeshefi Ekzekutiv z. Evetar Zeqiri.

Ministrja Rizvanolli shprehu falënderim për përkushtimin e stafit gjatë natës së ndërrimit të motmoteve, përgëzoi ata për punën dhe kontributin e tyre në sigurinë e furnizimit me energji elektrike për gjithë qytetarët e Kosovës. Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës operon në kuadër të KOSTT, dhe punon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, dhe 365 ditë në vit për të siguruar furnizim pa ndërprerje me energji elektrike në gjithë territorin e vendit.

Kryesuesi i Bordit, z. Mehmeti, dhe Kryeshefi Ekzekutiv Z. Zeqiri falënderuan Qeverinë e Kosovës, Ministren Rizvanolli për mbështetjen ndaj KOSTT dhe uruan për një Vit të Ri të suksesshëm për të gjithë qytetarët.

Kryeshefi Ekzekutiv, z. Zeqiri theksoi se viti që po lëmë pas është ballafaquar me sfida unike të cilat janë tejkaluar me sukses edhe me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës duke mundësuar integrim të plotë të të gjithë qytetarëve të vendit në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Ky ndërrim i motmoteve është i veçantë pasi që nga nesër po fillon një periudhë e re në sektorin e energjisë në Kosovë, që do t’i hapë rrugë fokusimit më të shtuar në zhvillimin e infrastrukturës elektroenergjetike, zhvillimit të tregjeve, integrimit të BRE-ve dhe sigurisë së furnizimit.

Urime dhe suksese të gjithë stafit të KOSTT dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gëzuar 2024!