Delegacioni nga Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik të RF të Gjermanisë dhe KfW vizitoi KOSTT-in
Zv.Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Kadri Kadriu me bashkëpunëtorë, pritën sot në takim delegacionin gjerman në krye me zyrtaren e lartë përgjegjëse për Kosovën nga Ministria e Bashkëpunimit Ekonomik të Republikës Federale të Gjermanisë znj. Michala Brinkhaus e cila ishte e shoqëruar edhe nga zyrtarë të lartë nga Ambasada Gjermane në Kosovë dhe Banka Gjermane për Zhvillim-KfW.
Duke i falënderuar për kontributin e vazhdueshëm financiar të Qeverisë Gjermane përmes KfW në zhvillimin e Sistemit të Transmetimit të Kosovës, z.Kadriu i njoftoi të pranishmit për rëndësinë dhe benefitet e këtyre investimeve në sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
z.Kadriu gjithashtu foli rreth sfidave me të cilat përballet KOSTT në drejtim të integrimit në mekanizmat Evropian të Sistemeve Elektro-energjetike, dhe angazhimet që po bëhen në drejtim të avancimit të KOSTT në këtë drejtim.
Në kuadër të takimit, z. Gazmend Kabashi-menaxher i zyrës për zhvillim dhe planifikim afatgjatë prezantoi pasqyrën e Sistemit Elektro-energjetik të Kosovës, kapacitetet e Rrjetit të Transmetimit dhe mundësitë për kyçjen e kapaciteteve të reja gjeneruese duke përfshirë burimet e renovueshme të energjisë elektrike si dhe rolin dhe rëndësinë e Sistemit të Transmetimit të Kosovës në rrjetin e ndërlidhur rajonal dhe atë evropian të energjisë elektrike.
Delegacioni gjerman vlerësoi lartë sukseset e arritura të KOSTT dhe u shpreh i kënaqur me rezultatet nga investimet e realizuara me fondet e Qeverisë Gjermane përmes KfW.