Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT sh.a me ftesën e tij, priti në takim informues përfaqësuesit e Ambasadave të Quintit, Bashkimit Evropian dhe Zvicrës në Kosovë
Me datë 29 Janar 2020, në ambientet e ndërtesës Qendrore të KOSTT, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT sh.a z.Ilir M. Shala me bashkëpunëtorë, me ftesën e tij, priti në takim informues përfaqësuesit e Ambasadave të shteteve të Quintit në Kosovë (Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Ambasada e RF Gjermane, Ambasada Franceze dhe Ambasada e Britanisë së Madhe) përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian, Ambasadës Zvicerane në Kosovë si dhe përfaqësuesit e institucioneve relevante vendore si: Zyra e Rregullatorit për Energji, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
z.Shala, njoftoi pjesëmarrësit për së afërmi në lidhje me rolin e KOSTT në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, sfondin e Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E, statusin dhe hapat e ardhshëm të Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E si dhe themelimin e Bllokut AK Shqipëri-Kosovë, ku objektiv kryesor i KOSTT është që Marrëveshja e re e Kyçjes të jetë në fuqi më 15 Prill 2020 dhe KOSTT të fillojë funksionimin si zonë/bllok rregullues në kuadër të Evropës Kontinentale, ku pas kësaj KOSTT do të marrë të gjitha përgjegjësitë për të balancuar sistemin dhe për të ndaluar devijimet e paqëllimshme.
z. Shala, po ashtu falënderoi përfaqësuesit e ambasadave të vendeve të Quint-it dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin KOSTT-it në fuqizimin e proceseve dhe sensibilizimin e çështjes së operimit të pavarur nga Serbia ku si rezultat KOSTT tashmë me 26 Nëntor 2019 ka nënshkruar Marrëveshjen e themelimit të Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK).
Delegacioni diplomatik vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e KOSTT si dhe shprehën mbështetjen e tyre për KOSTT në vazhdën e integrimeve rajonale dhe fillimit të operimit të pavarur në kuadër të Bllokut Rregullues të përbërë prej dy zonave rregulluese KOSTT dhe OST Shqipëri.