Në frymën e Përgjegjësisë Sociale të Korporatave, KOSTT mbështet Fondin për Edukim Kosovar Amerikan - KAEF
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Evetar Zeqiri dhe përfaqësuesi i Fondit për Edukim Kosovar Amerikan (KAEF), z. Gjeni Shporta, nënshkruan sot memorandumin për mbështetje financiare të programit KAEF i cili është i përqendruar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ofruar bursa për studime pasuniversitare në universitetet të ndryshme në SHBA, për të siguruar arsim të lartë cilësor për studentët kosovarë.
Kjo mbëshetje siguron mundësi për studentët e diplomuar nga universitetet në Kosovë të ndjekin studime Master në universitetet prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të marrin pjesë në programe praktike profesionale dhe Internship në kompani të njohura në SHBA.
Me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, z. Zeqiri, theksoi: “Mbështetja për zhvillimin akademik dhe profesional të të rinjve është një investim afatgjatë në kapitalin njerëzor të Kosovës. Ne besojmë se të rinjtë e edukuar dhe të trajnuar mirë do të jenë shtylla e zhvillimit në të ardhmen, duke sjellë njohuri të reja dhe perspektiva të reja që do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”.
KOSTT vazhdon të jetë i angazhuar në mbështetjen e gjeneratave të reja, duke u ofruar atyre qasje në arsimimin dhe zhvillimin profesional në fusha të ndryshme, me një theks të veçantë në fushat defiçitare si inxhinieria duke kontribuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë. KOSTT u bën thirrje dhe inkurajon të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë tjera që të mbështesin iniciativa të tilla të cilat kanë për qëllim krijimin e kuadrove të cilët pritët të kontribuojnë në rritjen e mirëqenjes ekonomike dhe sociale në Kosovë.