KOSTT sh.a nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Zvicrës-SwissGrid


2/26/2020

Në kuadër të angazhimeve në funksion të avancimit të partneriteteve, bashkëpunimit dhe integrimit në mekanizmat ndërkombëtar, me 25 shkurt 2020, Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) z.Ilir M. Shala nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Zvicrës (SwissGrid).  

Swissgrid si anëtar aktiv i Rrjetit të Operatorëve Evropianë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) gjithashtu mban rolin e përgjegjësit për Qendrën Koordinuese Jug, dhe në kuadër të këtij roli përmes Marrëveshjes së nënshkruar do të mund të sigurojë asistencë teknike si dhe trajnim për punonjësit e KOSTT në fushën e Rregullimit të Frekuencës-Ngarkesës (LFC) si dhe zbatimin dhe funksionimin e Bllokut Rregullues. 

“Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për operatorët tanë për zhvillim profesional dhe përgatitje për obligimet e reja, të cilat do t’i merr KOSTT-i së shpejti me fillimin e funksionimit të pavarur brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së re të Kyçjes me ENTSO-E”, theksoi me këtë rast z.Shala.

Të dy kompanitë nënshkruese, mirëpresin shkëmbimin e njohurive që do të jenë në dobi të ndërsjellë si dhe do të jenë në funksion të mbështetjes së stabilitetit të përgjithshëm të rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në gjithë Evropën.