KOSTT mbetet e përkushtuar në promovimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe modern, për të mundësuar tranzicionin energjetik në Kosovë
Me datë 27 dhe 28 Qershor 2024, u mbajt Konferenca Ndërkombëtare për Energjitë e Ripërtëritshme dhe Teknologjitë e Mençura e cila për herë të parë këtë vit po mbahet në Kosovë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ku u diskutuan tema të ndryshme që prekin sektorin e energjisë, roli dhe rëndësia e diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë si dhe kapaciteteve të reja të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, të cilat janë të kyçura apo pritet të kyçen në rrjetin e transmisionit. Këtë vit, KOSTT ka mbështetur konferencën si sponzor i Bronztë.
Një nga temat kryesore të konferencës ishte rëndësia e rrjeteve transmetuese në tranzicionin energjetik. Rrjetet duhet të jenë shtylla mbështetëse të këtij tranzicioni, duke u zgjeruar dhe përshtatur për nevojat e dekarbonizimit të sistemit elektroenergjetik. Këto rrjete duhet të jenë më të ndërlidhura ndërkombëtarisht, të digjitalizuara dhe të rezistente ndaj rreziqeve kibernetike
Gjatë diskutimeve në Panelin përmbyllës të konferencës ku u diskutua Tranzicioni i energjisë, sfidat që hasin si kompanitë apo institucionet, kontributit që mund të ofrojnë, trendet në tranzicion në Kosovë, Evropë dhe më gjerë, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri i njoftoi të pranishmit rreth investimeve të vazhdueshme të cilat pritet të realizohen nga KOSTT në ngritjen e kapaciteteve transmetuese si dhe modernizimin e rrjetit, zhvillimeve në sektorin e energjisë që do të krijojnë një ambient më të favorshëm për BRE-të, qasje e cila do të mundëson krijimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm në funksion të tranzicionit energjetik. ‘’KOSTT do të vazhdoj të jetë në përkrahje të të gjithë investitorëve që ndërlidhen me BRE-të, përkundër kërkesave tejet të mëdha për kyçje në rrjet, kështu duke dhënë përgjigjet në afatet më të shkurta kohore në kërkesat për kyçje në rrjetin e transmetimit dhe të mundësojmë integrim më të lehtë për të gjithë investitorët që të mos krijohen pengesa në realizimin e investimeve të reja në kapacitete gjeneruese’’ theksoi z. Zeqiri.
KOSTT mbetet e përkushtuar në promovimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe modern duke integruar BRE-të, përmes adaptimit të teknologjive të menqura, në përmbushje të mandatit të tij, që lehtëson tranzicionin energjetik në Kosovë. Kjo përfshin mbështetjen e vazhdueshme për investimet në teknologji të reja dhe burime të ripërtëritshme, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për inovacion dhe zhvillim në sektorin e energjisë.