KOSTT-i përfiton asistencë teknike deri në 560,000 euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD)
KOSTT-i mirëpriti përfaqësuesit e ndërmarrjes publike franceze RTE International (RTEi) , degë e bashkëpunimit ndërkombëtar të Operatorit Francez të Sistemit të Transmisionit (RTE France). Gjatë javës së kaluar, për dy ditë, një mision për mbledhjen e fakteve ka qëndruar në KOSTT dhe në institucionet tjera . Kjo nismë po realizohet pas kërkesës së KOSTT-it drejtuar Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) këtë vit për asistencë teknike e cila do të ofrohet si donacion.
Ky bashkëpunim pritet të fokusohet në disa objektiva kryesore si:
(i) Avancimi i statusit të KOSTT-it në ENTSO-E. Ky objektiv do të mundësohet përmes hartimit të një udhërrëfyesi gjithëpërfshirës që i hap rrugën anëtarësimit të plotë të KOSTT-it në ENTSO-E. Kjo objektivë synon të ofrojë këshilla dhe asistencë teknike në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim në ENTSO-E. Anëtarësimi i KOSTT-it në ENTSO-E me të drejta të plota, përveç domosdoshmërisë për sigurinë rajonale të furnizimit, mbetet edhe një nga orientimet strategjike të Qeverisë së Kosovës.
(ii) Zhvillimi i rrjetit të transmisionit. Ky objektiv synohet të arrihet nëpërmjet përgatitjes së studimeve të nevojshme teknike të projekteve të infrastrukturës për financimin e disa prej projekteve të rëndësishme në Planin dhjetëvjeçar të zhvillimit. Një projekt konkret që u diskutua ishte rikonfigurimi i linjës së dytë 400 kV ndërmjet KOSTT-it dhe OST të Shqipërisë, duke përfshirë ndërtimin e unazës së brendshme 400 kV në Kosovë. Këto projekte tashmë janë të mbështetura teknikisht nga Qeveria e Kosovës në kuadër të aplikacioneve në Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Zhvillimi i këtyre projekteve do të ndihmojë jo vetëm në arritjen e objektivave të strategjisë së energjisë, por do të kontribuojë më shumë drejt vizionit të qeverisë për dekarbonizim të plotë ose net-zero.
(iii) Shkëmbimet dhe ngritja e kapaciteteve. Në kuadër të këtij objektivi, me qëllim të rritjes së kapaciteteve njerëzore dhe teknike, do të synohet të bëhet binjakëzimi dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet KOSTT-it dhe RTE të Francës.
Mbështetja e nevojshme nga Qeveria e Kosovës gjatë viteve të fundit përmes Ministrisë së Ekonomisë i ka mundësuar KOSTT-it që dukshëm më mirë t'i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshja për kyçje dhe katalogu i masave të ENTSO-E. Këto zhvillime pozitive do të shërbejnë si argument se Republika e Kosovës përmes KOSTT-it meriton anëtarësim të plotë në familjen e OST-ve evropiane.
KOSTT-i u mbetet mirënjohës të gjithë akterëve relevantë, si Qeveria e Kosovës, Ministria e Ekonomisë, partnerët ndërkombëtarë dhe të gjitha OST-të që kanë ndihmuar në krijimin e kushteve të nevojshme për fillimin e procesit të avancimit të statusit ekzistues në ENTSO-E. Ky avancim është jo vetëm meritor, por edhe i domosdoshëm për vazhdimin e integrimit në tregjet rajonale të energjisë, proces i cili po kulmon viteve të fundit.